Rezulton pozitiv me koronavirus 55-vjeçari nga Ferizaj që vdiq dje, shkon në 4 numri i të vdekurve

Një 55-vjeçar nga fshati Sazli i komunës së Ferizajt, ka vdekur gjatë ditës së hënë në QKUK, ndërkohë rezultati i analizës për Covid-19 ka dal sot dhe është pozitiv.

Në Spitalin Rajonal të Ferizajt kanë thënë se janë vetizoluar stafi të cilët kanë pasur kontakt me pacientin një ditë më parë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike e ka konfirmuar rastin dhe tash në total numri i të vdekurve në Kosovë shkon në katër.

“I.Sh , i transferuar nga Spitali i Përjetshëm në Ferizaj, ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe i njëjti  për shkak të arrestit kardiak, përkundër angazhimit maksimal nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente, ai nuk ka arritur të mbijetoi. I njëjti ka rezultuar pozitiv në Covid-19 pas testimit, post mortum”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Drejtori i këtij spitali Jeton Zeqiri, ka thënë për KOHËN se pacienti gjatë së hënës nuk kishte temperaturë, por kishte gjendje kardiorespiratore dhe është monitoruar për gjysmë ore në spitalin e Ferizajt, e më pas është dërguar në Prishtinë pas përkeqësimit të gjendjes.

“Pacienti ka ndërruar jetë dje në Prishtinë, ndërkohë i është bërë testi i virusit dhe sot ka rezultuar pozitiv. Ne si Spital, sot e kemi marrë këtë konfirmim nga niveli qendror, ndërkaq mjeku, infermieri dhe shoferi i autoambulancës të cilët kanë pasur kontakt me këtë pacient janë vet-izoluar”, ka thënë Zeqiri.

Sipas tij, instituti është duke u marrë me familjarët e pacientit, ndërkohë janë duke pritur që fshati Sazli i komunës së Ferizajt të futet në Karantinë.

“Personi që tashmë ka ndërruar jetë nuk ka qenë jashtë vendit, ndërkohë instituti po merr informata nga familjarët e tij”, ka thënë Zeqiri.