Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se është i ngutshëm vendimi i pozitës për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje dhe shtoi se është tendencë për ta shantazhuar opozitën.
LDK thotë se vlerëson lart kontributin e mërgimtarëve në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës dhe beson se secili qytetar i saj duhet ta ketë të drejtën për të zgjedhur dhe për të votuar, por se kjo nuk duhet shfrytëzuar politikisht, njofton Gazeta Stop.
“Prandaj, një e drejtë e tillë, dhe një ligj kaq i rëndësishëm, nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm. LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”.
“Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit”.
Në një komunikatë për media, LDK thotë se pushteti i sapoardhur do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i konsensusit “sidomos kur një koncensus i tillë ishte i mundshëm”.
“Shantazhi e kërcënimi për zgjedhje, ndërsa, mbesin mjete që qëllimisht nuk duan zgjidhje por zgjedhje. Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit”.