Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka vizituar sot Gjilanin dhe është takuar me kryetarin e kësaj komune, Lutfi Hazirin.
Kryeministri Kurti në një prononcim të përbashkët pas takimit, ku ishte edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se u fol kryekëput për masat që janë marrë dhe duhet marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, transmeton KOHA.
Ai tha se Qeveria që udhëheq nuk ka kohë të merret me tema tjera, apo siç e quajti ai “pingpongun politik”.
Kurti i pyetur pas takimit në lidhje me emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë së re, i kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi, tha se ai dhe Qeveria nuk bën të shpërqendrohen nga lufta me pandeminë.
“Ne tash jemi të angazhuar maksimalisht për luftimin dhe parandalimin e pandemisë, nëse do të shpërqendrohemi nga kjo çështje do ta dobësojmë veten në këtë front jetik për qytetarët”, tha Kurti.
Ai paralajmëroi për sot një mbledhje online të kabinetit qeveritar ku do të diskutohen masat e ardhshme sa i përket mbrojtjes nga koronavirusi.
Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetues vendimin e Qeverisë për kufizim të lëvizjes së qytetarëve dhe ky vendim do të hyjë në fuqi më 13 prill.
Kurti njoftoi se në mbledhje do të diskutohet për masat e reja, por shtoi se Covid-19 mbetet problem i madh.
“Lëvizja e njerëzve është lëvizje për virusin”, tha ai.
Kurti u shpreh se duhet të gjetur mënyra të reja, jo vetëm për njerëzit, por edhe për lëvizjen e bizneseve.
”Të krijojmë hapësirë dhe për bizneset tona, krahas shëndetit publik duhet të mendojmë edhe për shëndetin ekonomik”, shtoi ai.
Ndërkohë, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tregoi se ka njoftuar kryeministrin për masat që ka marrë komuna në luftën ndaj koronavirusit, por edhe për telashet që përballet ajo.
“Kryeministri na dëgjoj me kujdes. Gjilani pos pandemisë, ka edhe një problem tjetër, Ka 9 apo 10 muaj që kemi problem me ujin për shkak të thatësisë. Në këtë kohë, kur është më se e nevojshme higjiena, mungesa e ujit është tejet problem i madh”, tha Haziri.