Numri i lartë i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë që po shënohen brenda ditës vazhdon të jetë i lartë.
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 860 raste të reja me koronavirus nga totali i 4,318 testimeve sa kanë qenë gjithsej, shkruan lajmi.net.
Brenda kësaj periudhe kohore janë shëruar edhe 682 pacientë dhe gjithashtu janë shëruar edhe 6 raste të vdekjes së pacientëve të infektuar me COVID-19.
Rastet e vdekjes janë nga komunat: Kamenicë 2 raste (78, 76 vjeç), Dragash 1 rast (84 vjeç), Ferizaj 1 rast (74 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (65 vjeç) dhe Gjakovë 1 rast (83 vjeç).
Kështu, duke marrë parasysh numrin e pacientëve të shëruar në 24 orët e fundit, numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 71,194 raste.
Numri i përgjithshëm i rasteve pozitive nga fillimi i pandemisë është 86,194 raste ndërsa janë kryer saktësisht 405,798 testime.
Nga COVID-19 kanë vdekur deri më sot në Kosovë 1819 pacientë ndërsa numri i rasteve që janë ende aktive është 13,106.
Por, sot është raportuar se dozat e para të vaksinës anti-Covid do të mbërrijnë në Kosovë së shpejti.
Në media gjatë ditës është raportuar se gjatë vikendit ose më së largu në javën e ardhshme në Kosovë do të vijë kontigjenti i parë me 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.
Arritja e vaksinave ishte paralajmëruar qysh në muajin shkurt nga qeveria e kaluar. Më pas u shty për muajin mars. Ndërkohë që u raportua se sipas kontratës ato është dashur të arrijnë më 17 mars.
Autoritetet kosovare që nga janari kanë përgatitur ekipet mjekësore dhe logjistikën për të filluar vaksinimin kundër virusit korona.