Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, me kërkesë të banorëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, i ka vizituar sot ata për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre, pas provokimeve të Serbisë me orë policore e karantinim dhe konfuzionit që u ka shkaktuar më pas Qeveria e Kosovës.
Kreu i PDK-së ka shkuar në veri, ku takuar banorët e fshatrave Cerajë, Bistricë dhe Kushtovë të Komunës së Leposaviqit. Më pas, lideri i PDK-së Kadri Veseli, shkoi në Komunën e Zveçanit ku takoi në Boletin, banorët shqiptarë të kësaj komune.
Banorët shqiptarë të veriut të vendit shprehën shqetësime se Qeveria e Kosovës i ka lënë në harresë dhe në mëshirën e zyrtarëve serbë që po marrin urdhra direkt nga Beogradi.
Përfaqësuesi i këtyre fshatrave, Shaqir Hetemi, tha se asnjë zyrtar qeveritar i Kosovës nuk i ka vizituar, ndërsa kanë nevoja të shumta si ushqimore po ashtu edhe shëndetësore pasi tash e disa ditë, siç theksoi Hetemi, banorët janë izoluar pas vendimit të Qeverisë së Serbisë dhe nga ora 13:00 nuk kanë të drejtë të lëvizin e të shkojnë në Mitrovicë për furnizime me ushqim.
“Vizita e kryetarit Veseli është një mbështetje morale. Ky vazhdimisht qysh nga vitet e 90’ta, pastaj më 2011 e deri sot, kur kemi vështirësi, vjen afër banorëve të këtyre tre fshatrave Bistricë, Kushtovë, Cerajë të komunës së Leposaviqit. Shqetësimet janë se Qeveria në ikje ka filluar fushatën për vota në këtë fshat dhe në këtë situatë nuk kanë ardhur asnjë pako ushqimore me ua afru këtyre banorëve. Pak u bë një ndërlikim. Ne jemi duke respektuar vetëm policinë e Kosovës, por nëse kanë diçka, i lutemi mos të na pengojmë sepse po na pengojnë në lëvizje kur kemi me shku me ble ndonjë ushqim ose kontrollime mjekësore kur kemi me shku në Mitrovicë po na pengojnë në rrugën magjistrale Leposaviç – Mitrovicë”, tha Hetemi.
Ndërsa, Shefit Behrami, baba i dëshmorit nga fshati Bistricë i Leposaviqit, tha se nuk ka provokim që mund t’i shtyej të lëvizin nga tokat e tyre, ndërsa e ka falënderuar kreun e PDK-së për vizitën.
“Vizitë me vend. Është ardhë në një vend ku kanë mbetur tre fshatra, kena mbet as qarkullim, atje ta mbyll, këndej është e kalueshme me shumë vështirësi. Veseli është i pari që ka qenë me na vizitu këtu prej udhëheqësve të Republikës së Kosovës. Mua gjallë askush prej këtuhit s’mundet me më qitë, prej këtij fshati”, tha Behrami.
Pasi dëgjoi kërkesat e banorëve të veriut të Kosovës në Leposaviq e Zveçan, kreu i PDK-së tha se ata do të ndihmohen me çfarëdo që kanë nevojë dhe i porositi që mos të bien pre e provokimeve të papërgjegjshme.
“Shqiptarët duhet të jenë unikë dhe bashkë, të respektojnë vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, ndërsa qeveria nuk duhet të krijojë konfuzion dhe pasiguri tek qytetarët, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë sa më mirë”, tha Veseli.
Sipas tij, banorët e kësaj ane të cilët përveç pandemisë, po ballafaqohen në këtë kohë edhe me sfidat e ndryshme të jetës, duhet të përkrahen më shumë.
Duke potencuar se mund dhe duhet të bëhet më shumë për këta njerëz, Veseli tha po ashtu se duhet të evitohet çdo pasiguri tek ta, për shkak të ambientit dhe rrethanave ku jetojnë.
Ai ka përsëritur se qeveria është dashur të jetë më e qartë rreth masave kundër pandemisë, dhe jo të krijojë konfuzion me vendime të dyanshme.
“Kam ardhur për t’i vizituar qytetarët tanë të cilët ndihen të shqetësuar me konfuzionin të cilën e ka krijuar panevojshëm qeveria jonë, e urdhrave të dyfishta të një shteti të cilin nuk e duam dhe nuk e njohim. Megjithatë, besoj se do të tejkalohet edhe kjo situatë. Këta janë njerëz të cilët kanë qëndruar këtu që 21 vjet, të cilët tani po ballafaqohen me pandeminë COVID-19 dhe me sfidat jetësore. Duhet të përkrahen më shumë, duhet të evitohet çdo pasiguri për këta njerëz, për vetë faktin se ambienti ku jetojnë është i tillë, dhe duhet t’ju ndihmohet. Kanë nevoja për ndihmë qoftë mjekësore, sociale. Mund të bëhet më shumë, duhet të bëhet më shumë. Qeveria e Kosovës nuk është dashur të krijojë vendime të dyanshme, është dashur të qartësojë nëse ka qenë në pajtueshmëri Republika e Kosovës me Republikën e Serbisë për masat ndaj pandemisë, ka qenë tërësisht në rregull, por është dashur vetëm të qartësohet dhe mos të krijohet konfuzion. Sepse në mënyrë të veçantë ka ndikuar ky qarkullimi dy orarësh, nga ora 5 është e institucioneve tona, pastaj nga ora 1 është e qeverisë së Serbisë. Vendosja e dy komunave në karantinë po ashtu ka krijuar një pakënaqësi sepse ka qenë një vendim në përputhje me gjendjen e jashtëzakonshme në Republikën e Serbisë. Mesazhi është ky, me qëndru sa më shumë bashkë, mos me kriju pasiguri dhe konfuzion tek qytetarët nga ana e qeverisë tonë, dhe me tejkalu këtë situatë përmes informimit dhe transparencës”, ka thënë Veseli.
Në fund të vizitës në veri të Kosovës, kryetari i PDK-së ka vizituar edhe Kullën e heroit kombëtar Isa Boletini ku bëri homazhe.