Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh edhe biznismen, Gazmend Abarashi ka thënë se masat e mara nga Qeveria në Detyrë pas pandemisë së Coronavirusit nuk janë të mjaftueshme dhe se zbatimi i tyre po shkon shumë ngadalë.
Abrashi në një konferencë për media, tha se AAK propozon që secilit qytetarë t’i ndahen nga 100 euro, ku sipas tij, do të jetë një mbështetje për tejkalimin e pandemisë.
“Krizën ekonomike e kemi në derë dhe pasojat do të janë edhe më të rënda nëse reagimi nuk do të jetë i fuqishëm dhe i shpejtë. Masat e propozuara nga qeveria nuk mjaftojnë dhe zbatimi po shkon shumë ngadalë dhe është i ngarkuar me proceduara dhe paqartësi, që edhe më shumë do të ndikojë në rritjen e pasigurisë ekonomike. Në këtë pako nuk janë përfshirë shumë ekonomi, si punëtorët pakontrata, ekonomitë familjare dhe të vetëpunësuarit e paregjistruar, nënat vetushqyese, familjet që jetojnë nga remitencat sot janë në pikëpyetje”, tha Abrashi, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se me ndarjen e këtyre mjeteve përfitimi do të jetë i shumëfishtë.
“Si kurrë më parë, secili qytetarë i Kosovës duhet ta ndiej dorën e shtetit, andaj ne si Aleancë për Ardhmëri propozojmë që të ndahet si mbështetje që secili qytetarë t’i ndahen nga 100 euro. Mbështetja do të shpërndahej bazuar në ekstraktet familjare në secilën komunë të vendit, kështu që nga ky ekstrakt nxirret saktë numri i anëtarëve të familjes. Përfitimi do të jetë i dyfishtë, ku do ta mbështesim secilën familje dhe të njëjtën kohë me futjen e këtyre mjeteve në qarkullim do të rritet konsumi dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në arkëtimin e parasë në arkën e shtetit”, shtoi ai.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.