Shtetet e Quintit i kanë bërë thirrje pozitës dhe opozitës që të punojnë së bashku duke i vënë nevojat e qytetarëve para çështjeve partiake politike.
Sipas tyre, detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri.
Në deklaratën e shefave të misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së thuhet se Kosova qka nevojë për institucione qeverisëse, përfshirë edhe presidencën.
“Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës urojnë qeverinë e re dhe Kuvendin dhe i nxitin të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive. Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën”.
“Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri”.