Brenda 24 orëve janë infektuar edhe 16 persona të tjerë. Ky numër është më i ulët krahasuar me të dielën, ku u shënuan 28 raste të reja.
Gjithsej janë 377 të prekur në vendin tonë, ndërsa rastet e reja janë regjistruar në Tiranë, Fier, Has, Berat dhe Shkodër.
“Në 24 orët e fundit janë testuar 175 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 2571 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 377 raste. Janë testuar gjithashtu 11 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të gjithë negativë nga COVID-19”.
Numri i viktimave vijon të mbetet i njëjtë: 21. Ndërsa numri i pacientëve në terapi intensive është 11. Të dhënat u përditësuan nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 73 pacientë”, tha ajo.
Ndërkohë në 24 orët e fundit janë shëruar 12 pacientë, duke e çuar numrin total në 116.