Kryetari i LDK-së, Lumir Adixhiku, është deklaruar pas takimit me fituesit e zgjedhjeve Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duke thënë se nuk do të ketë më takime të tilla dhe se partia që ai drejton do të jetë opozitë e Qeverisë Kurti.
“Ne sot përfunduam takimin e parë me përfaqësuesin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me të cilin diskutuam temat e sekuencës së formimit të institucioneve. Duhet të them se këtu kemi përfunduar takimet me Lëvizjen Vetëvendojse, sepse pozicionet tona janë të qarta dhe kështu ka vendosur zëri qytetar. Lëvizja Vetëvendosje është në pozitë, derisa ne jemi në opozitë. Ne do të jemi një opozitë aktive dhe do të jemi një alternativë e re në skenën politike të ardhshme gjatë qeverisjes”.
Ai ka thënë se do të takohen me pretendenten për presidente Vjosa Osmani gjatë javës së ardhshme, njofton Klan Kosova.
“Këtu përfundojmë takimin me Lëvizjen Vetëvendosje. Jemi dakorduar që pas formimit të institucioneve të takohemi me pretendenten për kandidate për presidente [Vjosa Osmani] dhe të kuptojmë më qartë pozicionin e saj si pretendente për presidente karshi LDK-së, karshi VV-së, karshi partive opozitare dhe në veçanti karshi nismës së saj politike të paralajmëruar. Presim që javën e ardhshme, pas formimit të institucioneve, të bisedojmë dhe të presim ftesën nga pretendendja për presidente”.
Cili do të jetë qëndrimi i deputetëve të LDK-së në seancën e të hënës ku pritet votimi i Qeverisë?
“Të hënën ne jemi parti parlamentare dhe marrim pjesë me deputetët tanë dhe do të vazhdojmë si opozitë. Këtu përfundon relacioni jonë me Lëvizjen Vetëvendosje. Do të jemi një opozitë e qeverisë së ardhshme të Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë javës së ardhshme do të bisedojmë dhe të takohemi me pretendenten për presidente”.