Një tigër në një kopsht zoologjik të Nju Jorkut ka dalë pozitiv në testin për koronavirus. Besohet se ky është rasti i parë i një kafshe të infektuar në Shtetet e Bashkuara.
Tigri mund ta ketë marrë virusin nga një punonjës në kopshtin zoologjik, i cili ka qenë i infektuar, por nuk ka treguar simptoma, thanë zyrtarë të kopshtit.
Gjashtë tigra dhe luanë të tjerë gjithashtu janë sëmurë, por rezultatet e testeve të tyre nuk kanë dalë ende.
Kopshti zoologjik vendosi të testonte kafshët për koronavirus, pasi tigrat dhe luanët treguan shenja të sëmundjes, duke përfshirë kollë të thatë, vështirësi në frymëmarrje dhe humbje të oreksit.
Jane Rooney, veterinere dhe zyrtare e Departamentit të Bujqësisë në SHBA, tha se nuk ka ende prova se sëmundja mund të transmetohet nga kafsha në njeri.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA nuk rekomandon testimin e kafshëve, por thotë se njerëzit duhet t’i kufizojnë kontaktet me kafshë dhe t’i lajnë duart pasi t’i prekin.
Nju Jorku është rajoni më i goditur nga koronavirusi në SHBA, me mbi 100,000 njerëz të infektuar.