Sot do të vendoset për masat e reja anti COVID-19 në Kosovë – Hoti mban takim me Zemajn

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se pas takimit me zyrtarët qeveritarë dhe ata që udhëheqin me shëndetësinë kosovare, kanë marrë vendim që sot në orën 15:00 të mblidhet Komiteti Anti Covid -19, ku edhe pritet të merret vendimi për pushimin pranveror në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë dhe të rishikohen masat në fuqi anti Covid-19.

“Pas takimit me Ministrin e Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, z. Naser Ramadani, Ministrin e Arsimit, Ramë Likaj, Zëvendësministrin e Arsimit Xhavit Rexhaj, përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe të Këshillit të Prindërve, kemi analizuar situatën epidemiologjike me pandeminë Covid-19.
Pas analizës kemi vendosur që sot në orën 15:00 të mblidhet Komiteti Anti Covid -19, ku edhe pritet të merret vendimi për pushimin pranveror në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë dhe të rishikohen masat në fuqi anti Covid-19″, ka shkruar Hoti.