Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, me të cilin kanë diskutuar rreth rëndësisë së bashkëpunimit të thellë mes shqiptarëve të të dyja vendeve.
Abdixhiku madje iu ka bërë thirrje diasporës shqiptare të Maqedonisë së Veriut, që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, njofton Klan Kosova.
Ndërsa lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, i pari i LDK-së, nuk tregoi nëse në seancën për votimin e presidentit, do të qëndrojnë në sallën e kuvendit, por tha se është pro një presidenti që përfaqëson të gjitha subjektet politike.
”Këtë çështje duhet trajtuar me kohë. E di që është temë me interes por nesër kemi takimin bilateral me palën tjetër. Po besoj gjatë vikendit do t’i formojmë organet e partisë siç është Kryesia e LDK-së, dhe aty marrim vendim për të gjitha çështjet në koordinim me Grupin Parlamentar të LDK-së”.
”Tani për tani ajo çfarë kam thënë që ju lus ta prezantoni me të drejtë, pa ndonjë transformim tjetër: LDK synon t’i shmang zgjedhjet, synon të kontribuojë në formimin e institucioneve dhe LDK synon që këto institucione të jenë demokratike, pra t’i përfaqësojnë të gjitha partitë politike në veçanti pozita e presidentit apo Presidencës së Kosovës”.
”Për çështje tjera do të kuptojmë pas takimit që do ta kemi të nesërmen, kemi synime konstruktive, kemi qëllime që t’i shmangim zgjedhjet e përsëritura tanimë të shpeshta, të mërzitura e të kushtueshme për këtë vend të vogël”.
Kurse pyetur nëse në strukturën e LDK-së ka garancë rreth unitetit në çështjen e zgjedhjes së presidentit, Abdixhiku tha se ende nuk është definuar se cili do të jetë veprimi i tyre në të ardhmen.
”Për të qenë unik ndaj diçkaje, duhet të definojmë se çka është ajo. Ata përfaqësojnë votuesin e LDK-së dhe zërin tonë parlamentar. Me kohë do të definojmë edhe pozicionin tonë të qartë”.
”Jo zgjedhje të reja, jo institucionet jodemokratike, po konstruktivitetit. Të presim takimin e parë me ta, është sjellje e mirë prej pozitës”.
Ndërkaq Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, e ka uruar Abdixhikun për zgjedhjen në krye të LDK-së dhe ka kërkuar mbështetje për procesin e regjistrimit të diasporës ku ka kërkuar mbështetje.
”Për ne ky proces nuk është vetëm statistikor por edhe politik, prandaj jam këtu për të kërkuar mbështetje”, është shprehur Grubi.
”Jemi të interesuar për institucione stabile dhe partneritet të ndërsjellë me Kosovën”, ka shtuar ai, duke folur për marrëdhënien në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në të ardhmen.