Pasuria e majme e prokurorit Agron Uka: Katër parcela toke, veturë e mbi 26 mijë euro në bankë

Prokurori Agron Uka është emri më i përfolur i ditëve të fundit në media. Ai ishte prokuror në lëndën e vrasjes së të riut Agonis Tetaj, rast të cilin ai e riklasifikoi si “vrasje nga pakujdesia”. Gjithçka u qartësua kur babai i viktimës publikoi pamjet e vrasjes e ku shihej se nuk kishte të bënte me këtë cilësim që i kishte dhënë Uka. Ky i fundit u përjashtua sot nga rasti me një vendim të kryeprokurorit Lumezi.

Por, Uka siç duket prapa vetes ka një pasuri mjaft të madhe, shkruan lajmi.net.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2020, ai ka deklaruar hiç më pak se katër parcela toke. Një parcelë e ka deklaruar në vlerë prej 50 mijë euro, një në vlerë prej 100 mijë euro, një tjetër në vlerë prej 25 mijë euro, teksa një tjetër në vlerë prej 30 mijë euro.

Të deklaruar e ka edhe një banesë në vlerë prej 65 mijë euro, të gjitha këto në pronësi të tij.

Në AKK ai ka deklaruar edhe një veturë në vlerë prej 13 mijë eurosh.

Në bankë, Prokurori Uka i ka deklaruar hiç më pak se mbi 26 mijë euro, të cilat ka thënë se janë në pronësi të bashkëshortes së tij.

Në një llogari tjetër që thotë se është e fëmijëve, ai ka deklaruar 8 mijë e 700 euro.

Borxhe ndërkaq, Uka i ka deklaruar 25 mijë euro.

Prokurori Uka kishte në dorë deri sot rastin e vrasjes së Agonis Tetajt nga Deçani nga djali i pronarit të kompanisë ku ai punonte.

Videot e publikuara dje në media shkaktuan reagime të mëdha teksa sot reagoi edhe Kryeprokurori i Shtetit i cili e largoi atë nga ky rast.