Mazreku – shoferëve: Siguroni automjetet, polisa kushton 140 euro, pa të nuk mund të lëvizni

Shoferët në Kosovë askush s`mund t`i dënojë për shkak të mos regjistrimit të veturave. Të paktën jo në këtë kohë pandemie. Megjithatë, të njëjtit, për të lëvizur lirshëm dhe për t`i shpëtuar gjobës me patjetër duhet ta kenë të paguar sigurimin.

Për këtë vendim dhe çështje të tjera që lidhen me Industrinë e Sigurimeve, në një intervistë për portalin Front Online ka folur drejtori i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku.

Front Online: Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Ministria e Brenshme që disa javë i ka mbyllur Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve. Si ka ndikuar kjo tek industria e sigurimeve dhe a ka rrezik që të rritet numri i automjeteve të pasiguruara dhe paregjistruara?

Mazreku: Me datën 16 mars Ministria e Punëve të Brendshme e ka nxjerr një vendim për mbylljen e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve e cila ka ndikuar direkt edhe në industrinë e Sigurimeve, sepse menjëherë është vërejtur ndalja e blerjes së polisave të sigurimeve. I kemi bërë kërkesë MBP-së, meqenëse ndalohet vetëm regjistrimi i automjeteve, por nuk është ndaluar qarkullimi, atëherë që personat të cilët dalin në qarkullim, minimalisht të mos dalin pa sigurime. Kërkesa ka qenë që të ndërrohet një udhëzim, që kushdo që blen sigurim gjatë kësaj kohe, në kohën kur qendrat e regjistrimit fillojnë funksionalizimin, qytetarët mos të kenë nevojë me ble sigurime të tjera. E njëjta kërkesë është pranuar. I bie që sot lirshëm mund të vozitim vetëm me sigurim.

Front Online: Sa është aktualisht numri i automjeteve të pasiguruara që qarkullojnë në rrugët e Kosovës dhe sa mund të rritet për shkak të situatës?

Mazreku: Nëse bazohemi në të dhenat e MBP-së e regjistër figurojnë rreth 148 mijë automjete të pa regjistruara, por nuk e kemi një pergjigje të saktë se sa prej këtyre mjeteve janë në qarkullm. Fondi i Sigurimeve në vitin 2019 për dëmet e këtyre veturave ka pagauar 4.4 milionë. I bie që në njëren anë kompanitë nuk inkasojne mjete për polisat e sigurimeve dhe në anën tjeter duhet të paguajnë mesatarisht nga 3.7 deri në 4.5 milionë euro në vit. Kjo na shkakton neve humbje të mëdha.

Front Online: Si po funksionon tash industria e sigurimeve, ku shumë zyra janë mbyllur dhe nuk punohet me orar të plotë?

Mazreku: Pas datës 27 mars ka një ndryshim edhe në shitjen e polisave të sigurimit dhe në funksionalizimin e zyreve të kompanive të sigurimeve. Si çdo herë duke i respektuar rekomandimet e Institutcioneve Shëndetësore ka ndërruar orari, tash punojnë nga ora 9 deri në orën 3 dhe sigurisht që zyrën qendrore ka reduktim të stafit, punojmë me ndërrime, por pjesa e shitjes, që janë rreth 500 zyre të licencuara në tërë territorin e Kosovës, janë aktive dhe u ofrojnë këto produkte të sigurimeve. Pra, çdokush që deshiron të dalë në trafikë e ka të mundshme në cilën do kompani që ai vendos, ta blejë sigurimin. Kompanitë po funksionojnë, normal ky funksionim nuk është i njëjtë si para rasitit të parë të prekur me koronavirus. Sigurisht tash është një funksionim ndryshe, sepse ka ndikuar komplet kjo pandemi.

Front Online:A mund qytetarët të lëvizin lirshëm vetëm me polisë të sigurimeve?

Mazreku:Sigurisht se po, këtë mund ta konfirmoni në Policinë e Kosovës, ajo krejt çka duhet është ta bleni një polisë që zgjat më së shumti një minutë në një kompani të sigurimeve dhe regjistrimin e procedurat tjera mund t`i kryeni në kohën kur Qendrat e Regjistimit hapën dhe fillojnë funksionimin normal.

Front Online: Industria e Sigurimeve ka numër të madh të të punësuarëve. A rrezikon edhe kjo industri të largojë punëtorë nga puna nëse vazhdon kjo situatë?

Mazreku: Nëse flasim me numër dikund rreth 3 mijë janë të punësuar në mënyrë të rregulltë, sigurisht që ky numër lëvizë dhe janë rreth 2000 mijë të tjerë që janë të lidhur indirekt me industrinë e sigurimeve sepse këto kompani kanë rrjetin e shitjes, kanë zyre që i marrin me qira dhe doemos ka familje që varen nga qiraja që i kanë lëshuar zyret e tyre. Sigurisht nëse flasim për një numër 5 mijë familje, sigurisht se kjo pandemi nëse zgjat shumë sikurse në çdo biznes tjetër, do të të ndikojë edhe tek ne. Shpresojmë të mos zgjat shumë dhe t`i rikthehmi realitetit aktual. Aktualisht nuk ka ndonjë veprim që e ka marrë Industria e Sigurimeve. Por nuk mund të japë një përgjigje të saktë për të ardhmen, çkado që ndodh me krejt, sigurisht se do të ndodhë edhe me neve.

Front Online: Ministria e Financave i ka ndihmuar disa sektorë të prekur nga koronavirusi. A janë ndihmuar edhe sigurimet?

Mazreku: Në ato që kemi parë shihet një klasifikim se kush ka të drejtë apo kush nuk ka të drejtë, Si çdo odë tjetër edhe ne si shoqatë e kemi njoftuar Ministrinë e Financave me funksionimin e sigurimeve, me numrin e stafit të punëtorëve, si e realizojnë natyrën, se si kjo pandemi, se si ky kufizim i lëvizjes, si kjo ndërprerje e qendrave të regjistrimit, kanë ndikuar direkt tek ne. Tek ne aktualisht ka një shitje minimale të polisave, përdallim prej këtyre dy tri diteve te fundit, vërehet që është një interesim i qytetarëve me lëviz, me ble sigurim, sidomos tani kur po e dinë që u duhet vetëm sigurimi dhe nuk kanë nevojë me i kry procedurat e tjera. Sepse te ne ka qenë një ide pak më ndryshe, kanë mendu që komplet sigurimi kushton 300-350 euro. Por. unë siç e thash mesatarja është 140 euro. Procedurat tjera, komuna, nuk janë mjete që shkojnë për kompanitë e sigurimit, por shkojnë për institucionet tjera. Nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga Ministria e Financave se çka kanë paraparë me neve, por bazuar në praktikat e vendeve tjera, konkretisht Sllovenia, me sa kam lexuar, është duke menduar këtë fazë sa është koha e pandemisë, që komplet shumën e sigurimit që duhet ta blejnë qytetarët, t`ua mbulojë 100%. Nuk e di sa do të jetë e mundur tek ne. Sot do t`i drejtohemi Ministrisë të Financave që do të ia japë një propozim që varësisht si e vlerësojmë situatën, që Ministria e Financave t`ua mbulojë pjesën e pagesës së sigurimeve. Meqenëse humbjet do ishin më të mëdha nëse ata dalin pa sigurim. E kemi një shembull të tillë kur Ministria ne vitin 2013, për pjesën e Luginës së Preshevës, Bujanocit e ka paguar pjesën e polisës kufitare. Kjo është e mundur, por nuk e di sa do të ketë vullnet dhe mundësi financiare Ministria e Financave, por do t`ua bëj si poropzim që kjo është mundshme. Te na ka ndikuar shumë, nuk ka shitje, ka qarkullim, në njërën anë nuk do të inkasojmë mjete , kurse në anën tjetër do të vazhdojmë të paguajmë dëmin e shkaktuar nga këta vozitës që vazhdojnë të dalin në trafik.