Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka zhvilluar sot një takim konsultativ me deputetët e zgjedhur Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas takimit, ish-kandidati për kryetar të LDK-së, njëherit deputet i zgjedhur i LDK-së dhe ministër i Bujqësisë, Besian Mustafa ka thënë për mediat se është folur rreth seancës themeluese të Kuvendit të Kosovës.
“Sot kryetari Abdixhiku ka mbajtur një takim konsultativ me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës pra grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, takim ku u diskutua për procesin e seancës themeluese të Kuvendit të legjislaturës së re, ashtu siç ka deklaruar edhe kryetari Abdixhiku ai do të jetë një takim me znj.Osmani dhe z.Kurti”, tha Mustafa.
Tutje, i pyetur lidhur me votimin e Osmanit për presidente, Mustafa tha se Abdixhiku tashmë e ka dhënë këtë përgjigje.
“Besoj kryetari Abdixhiku ka dhënë përgjigje lidhur me këtë çështje”, tha Mustafa.
Kujtojmë se dje kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë paraqitjes së djeshme televizive është shprehur se LDK nuk është e interesuar për bllokimin e institucioneve, duke e lënë të hapur mundësinë e votës për Vjosa Osmanin.