2664 mësues të vaksinuar në Shqipëri

Deri në këto momente në Shqipëri janë vaksinuar në total 2664 mësues. Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Vaksinimi i mësuesve është shtrirë në Kukës, Shkodër, Tiranë, Lezhë, Durrës, Lushnje dhe Korçë dhe po kryhet me anë të vaksinave AstraZeneca.

“2664 mësues nga Kukësi, në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Lushnje, Korçë, janë sot më të mbrojtur nga Covid-19, pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, teksa procesi po shtrihet në të gjithë vendin”, shkruan ministrja.

Kujtojmë që disa shtete e kanë pezulluar vaksinimin me AstraZeneca, ndërsa një ditë më parë, kryeministri Rama tha se Shqipëria është në pritje të rekomandimeve zyrtare të OBSH-së dhe EMA-s. Janë ata sipas kreut të qeverisë që do të japin vendimin.

“Të gjithë, edhe pjesa që ka bërë pezullimin, presin konfirmimin e OBSH-së dhe të EMA-s. EMA është Agjencia Europiane e Barnave që deri më tani ka konfirmuar vetëm vlerën dhe dobinë e vaksinës dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë luhatje. Nëse do thonë ndaloni, do ta ndalojmë”, tha ai./tvklan