Abdixhiku te varri i Rugovës: Mburremi me të kaluarën tonë, por ajo sot s’na mjafton

Kryetari i sapozgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri sot homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Me këtë rast ai u shpreh se po e nis nga aty për të nderuar dhe kujtuar jo vetëm kryetarin e parë të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, por edhe themeltarin e Republikës së Kosovës.

“Nga këtu dërgojmë mesazhe se idetë tradicionale të LDK-së mbesin ide të kohës, të përhershme, të cilat do t’i kultivojmë edhe në këtë pjesë tonën”.

“Jemi krenarë për punët e bëra që nga themelimi e deri më sot. E kaluara jonë është ajo me të cilën mburremi, por ajo sot s’na mjafton. E ardhmja ndërtohet duke e respektuar të shkuarën dhe duke i dhënë përgjigje çështjeve të kohës, që janë emergjente për Republikën e Kosovës”.

Ndërkaq, në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit, Abdixhiku u shpreh se po e presin konfirmimin për takimin e së premtes, duke shtuar se do të jenë konstruktivë në frymën themeltare LDK-së, që siç tha, kontribuon në mirëmbajtjen dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe jo në rrënimin e dëmtimin e tyre.