Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka kritikuar sërish partneren e saj të dikurshme të koalicionit qeverisës, LVV-në, të cilën më parë e kishte akuzuar për “prishje të raporteve me SHBA-në”, duke thënë se “ata që rrezikuan marrëdnëniet me SHBA-në, nuk kanë legjitimitet të flasin dhe veprojnë në emër të shtetit të Kosovës”.
Përmes një statusi në Facebook, Mustafa shkruan se partia e tij është e përkushtuar në ruajtjen e raporteve me BE-në.
“LDK-ja i beson BE-së, sepse e konsideron shtëpi të veten politike, demokratike dhe ekonomike. Jo se BE-ja është e përkryer”, shkruan ai.
Njëjtë ka thënë edhe për SHBA-në.
“LDK ka besim të palëkundur në partneritetin e përhershëm me SHBA-të, si aleat strategjik i saj. Beson në shtetin dhe popullin amerikan, që e shpëtoi Kosovën në kohët më vështira. Beson se me SHBA-të, e në bashkëpunim me BE-në mund të përmbyllet procesi i dialogut me njohje reciproke.
Statusi i plotë i Mustafës:
Qytetarë të nderuar,
Ardhmëria e Kosovës është dhe mbetet në integrimet evropiane dhe euroatlantike. Anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe në miqësi e partneritet të ngushtë me SHBA-të.
Kemi të drejtë të zhgënjehemi në BE-në dhe në disa vende të BE-së për mosliberalizim të vizave. Kemi të drejtë, po ashtu, të shprehim shqetësimin tonë sesi do ta drejtojë dialogun perfaqësuesi i lartë i BE-së, Borell, i cili Serbinë e cilëson shtet, kurse Kosovën, vetëm, vend që nuk e kanë njohur edhe 5 shtete të BE-së. Ose se, a është më i qëlluari i tij, z. Lajçak, që kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në UNESKO, ai që do të jetë neutral në ndërmjetësimin e dialogut. Ose a është raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, raportuese për krejtë Kosovën apo raportuese e një partie politike të majtë, ashtu siç po sillet!?
Zhgënjimi nuk është humbje e besimit. Besimi në BE dhe institucionet e saj qëndron në orientimin tonë të paluhatshëm dhe pa alternativë të integrimit tonë evropian. Një mik imi thoshte, “edhe nëse na largojnë nga dera, ne hyjmë nga dritarja”.
Askush nuk mund të na largojë nga bindjet dhe përkatësia jonë evropiane dhe euroatlantike. Edhe pa liberalizim të vizave, ne jemi këtu, brenda kufijve evropian, bashkëpunojmë me vendet anëtare të BE-së, institucionet e saja, me Partitë Popullore Evropiane (EPP), dhe nuk ndalemi së punuari për të drejtat tona dhe vizionin tonë si qytetarë evropian. Nuk i ndryshojmë bindjet tona politike, si bindje demokratike që janë themeli ynë!
Relacionet , qëndrimet politike dhe besimi në BE-në dhe SHBA-të, qëndrojnë në doktrinën tonë properëndimore. Ato nuk janë fluskula të politikave ditore, se kush është me Thaçin e kush me Kurtin.
Interpretimi i tillë është mënyra më primitive dhe më diletante e rezonimit politik, i kujdoqoftë ai. Edhe i ndonjë diplomati që bindjet e veta i ndërton në ndeja, darka e dreka,me ata që i pēlqenë dhe i flasin ashtu siç ai/ajo do të dëshironte të dëgjoj. I disa mediave apo pjese të shoqerisë civile. I militantëve partiak dhe “rebelëve” partiak.
LDK i beson BE-së, sepse e konsideron shtëpi të vetën politike, demokratike dhe ekonomike. Jo se BE është e përkryar.
LDK ka besim të palëkundur në partneritetin e përhershëm me SHBA-të, si aleat strategjik i saj. Beson në shtetin dhe popullin amerikan, që e shpëtoi Kosovën në kohët më vështira. Beson se me SHBA-të, e në bashkëpunim me BE-në mund të përmbyllet procesi i dialogut me njohje reciproke.
Ndajmë bindjen se ata që rrezikuan marrëdhëniet me SHBA-të, nuk kanë legjitimitet të flasin dhe veprojnë në emër të shtetit të Kosovës.
LDK ka dije, kuadro dhe vizion të drejtoj shtetin, të luftoj Pandeminë e pamërshishme, të ballafaqohet me pasojat ekonomike dhe sociale të Covid-19 si dhe të avancoj vendin në rrugën tonë evropiane. Shtëpia nuk mbahet pa miq, thoshte Presidenti Historik, Dr. Rugova ; andaj LDK është garancioni për përparim në partneritet, në BE, gjithsesi, me SHBA domosdo.