Klinika Infektive kyç të gjithë shtretërit e saj në sistemin qendror me oksigjen

Në Klinikën Infektive të QKUK-së, nga dita sotme është lëshuar në funksion sistemi qendror i furnizimit me oksigjen për të gjithë shtretërit e kësaj klinike.

“Ky investim i bërë nga SHSKUK-ja do të ofrojë siguri më të madhe për pacientët që kanë nevojë për oksigjen, e po ashtu do të lehtësojë punën e stafit shëndetësor”, thuhet në njoftimin e Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës

Për të parë investimin e bërë dhe funksionimin e këtij sistemi, Valbon Krasniqi, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, ka vizituar Klinikën Infektive, me ç’ rast është informuar për punimet e kryera.

Ai është njoftuar nga stafi i kësaj klinike se përmes këtij investimi do të jetë më i lehtë trajtimi i pacientëve dhe stafi i klinikës do ta ketë më të lehtë punën.

Furnizimi me oksigjen qendror do të bëhet nga cisterna me kapacitet 20 mijë litra, investim ky i kryer në vitin e kaluar nga ShSKUK-ja.

Shtrirja e sistemit qendror të furnizimit me oksigjen, do të vazhdojë edhe në Klinikën e Pulmologjisë dhe klinikat e tjera të QKUK-së.