Një tentim grabitje e armatosur ka ndodhur sot rreth orës 16:45 ndaj automjetit të kompanisë së sigurimeve “Besa Security” që po transportonte para, në magjistralen Prishtinë – Gjilan, afër Liqenit të Badovcit.
Si pasojë e gjuajtjeve me armë zjarri, dy punonjës të kësaj kompanie kanë pësuar lëndime trupore.
Kjo kompani, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë sulmuar automjetin e kësaj kompanie me armë të kalibrit të rëndë dhe me kallashnikov.
Mirëpo, nga “Besa Security” bëjnë të ditur se automjeti ka qenë i armatosur kundër këtyre armëve dhe se punonjësit kanë pasur të veshur jelekët anti-plumb.
Andaj, thonë se gjendja shëndetësore e dy të plagosurve është jashtë rrezikut për jetë.
“Në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, afër Badovcit, disa plaçkitës kanë sulmuar kombin e Transportit të Parave të Gatshme me armë të kalibrit të rëndë dhe me kallashnikov.”
“Dy punonjës të TPG-së, janë të plagosur. Të njëjtit, falë veturës të armatosur kundër kallashnikov, jelekëve antiplumb të veshur nga punonjësit tonë dhe më pas falë një veture të FSK-së që ka kaluar pas pak minutash dhe të cilët ia kanë dhënë ndihmën e parë të dy punonjësve, sipas informatave janë jashtë rrezikut për jetë.”
Shëndosh e mirë, sipas kësaj kompanie, janë edhe dy pjesëtarët e tjerë të ekipit që kanë qenë në automjet kur ka ndodhur sulmi.
Ndërsa, plaçkitësit nuk kanë arritur t’i marrin paratë.