Kryetari i Lëvizje Vetëvendosje, Albin Kurti , ka uruar festën e 7 Marsit duke kujtuar figurën e mësuesit rezistent, luftëtar dhe dëshmor, Shaban Jasharit.
Kurti me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se personaliteti mësimdhënës mbart drejtpërdrejt fuqinë që i jep virtyti publik i shoqërisë.
“Mësuesi vjen menjëherë pas prindit. Sapo fëmija del prej ngrohtësisë së nënës, babait dhe vatrës, ka përpara vetes dhe bashkëmoshatarëve të vet një autoritet të ri të cilin e dashuron jo thjesht prej ndjenjës, por prej dijes. Në sytë e shkollarit mësuesi është përfaqësuesi i një jete që çelet përpara”.
“Le të kujtojmë sot figurën e mësuesit rezistent, luftëtar, dëshmor. Por edhe të rindjejmë e përkujtojmë atë vrull arsimues të Shaban Jasharit. Le ta rikujtojmë si mësuesi më i shpallur i bijve e bijave të tij. Mësues special ishte baca Shaban sepse u kthye në mësues për fëmijët e tij. Por baca Shaban ishte edhe mësues integral sepse u bë mësuesi i lirisë për bijat dhe bijtë e tij. Në këtë kuptim 7 marsi mund të marrë vlerën e vet më të plotë. Mësuesi nuk është ai që na sjell dijen abstrakte dhe vetminë, por virtytin publik të lirisë, deri edhe dijen e vetëmohimit në emër të hapjes së një epoke të re”, ka shkruar Kurti.