Meliza Haradinaj-Stublla, po rezulton se nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për t’u bërë deputete. Por, falë parave të bashkëshortit të saj, ajo ka arritur ta fitojë një vend në listën e AAK-së. Insajderi ka siguruar video dhe dëshmi se si, bashkëshorti i saj i ka blerë me 6 mijë euro katër komisionerë, të cilët i kanë dëmtuar dy kandidate tjera dhe e kanë favorizuar, Haradinaj-Stubllën. Kjo video dhe dëshmitë tjera tashmë janë në dorë të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës. Insajderi mëson se priten arrestime.
Një video-incizim ka zbuluar bashkëshortin e kryediplomates kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, për përfshirjen e tij në një skandal të madh të manipulimit të votave.
Në këtë video ekskluzive të siguruar nga Gazeta Online Insajderi, zbulohet se si afaristi Dardan Stublla, ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar Meliza Haradinajt-Stublla.
Arbër Krasniqi, njëri prej të përfshirëve në videoincizim dëshmon se grupi i komisionerëve ka pasur marrëveshje me Dardan Stubllën që këtë manipulim votash ta bëjnë për gjashtë mijë euro. Por, ata kanë marrë vetëm katër mijë.
I ndjerë, i mashtruar, Krasniqi – njëri prej këtyre komisionerëve i ka rrëfyer familjarit të njërës prej kandidatëve të AAK-së, të dëmtuar nga kjo vjedhje të cilit i ka kërkuar falje.
I infiltruari në grup i cili e ka incizuar bisedën ka ofruar para rrejshëm shumë më shumë sesa Stublla, për të zbuluar të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë hedhë dyshime të mëdha se si ministrja e Jashtme dhe e Diasporës bëhet deputete pa i pasur votat e mjaftueshme.
Kësisoj, paratë dhe përfshirja e Dardan Stubllës kanë qenë faktori kyç që Meliza Haradinaj-Stublla figuron në mesin e tetë kandidatëve të parë të AAK-së pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Përfshirjen e Dardan Stubllës në manipulimin e rezultateve të kandidatëve të Aleancës për deputetë, e ka zbuluar një video-inicizim i Arbër Krasniqit, një komisioneri të AAK-së në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).
Përgjimi ekskluziv, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, nxjerr në pah dëshminë e komisionerit Krasniqi që thotë se është paguar nga Dardan Stublla. Thotë se paratë i kishte pranuar me një qëllim të vetëm: manipulimin e votave në favor të kryediplomates në largim.
https://www.youtube.com/embed/912nvu2XgQo?autoplay=1&feature=oembed
Pasi i prezantohet me identitet të rremë personit të dëmtuar nga manipulimi i votave, Arbër Krasniqi thotë se edhe komisionerët e tjerë të partisë i binden atij. Pranon se ka manipuluar qindra vota në favor të Haradinaj-Stubllës në këmbim të 6,000.00 eurove që i kishte premtuar bashkëshorti i saj.
“Puna është që unë me ta u pata marrë vesh për 600 vota, 6,000 euro. Unë aty jam vet i treti. Unë si numërues aty, edhe nja dy i kena mrena aty. IT janë ata, me kompjuter në sistem”, dëshmon Arbër Krasniqi, i prezantuar si Arigon Beka, 24-vjeç, nga Podujeva.
Krasniqi, megjithatë rrëfen se Stublla s’i doli “njeri i fjalës”.
Para se të konfirmojë se është takuar me bashkëshortin e Haradinaj-Stubllës në një restorant afër selisë së AAK-së në Prishtinë, thotë se Dardan Stublla i ka borxh 2,000.00 euro.
“Këta u patën marr vesh qysh të kallëzova, 600 vota – 6,000 euro. 4,000 mijë i kanë jep, 2,000 janë mbet borxh. Kanë bo fjalë për qito 2,000 në fund”, shpreh shqetësimin komisioneri i AAK-së.
“Tash, për qato dy mijë euro, u nal. Dështuam qaty. Qaty dështuam. Bash qysh po thu ti: ‘Jo i pari, jo pse, kur, tek?’”, rrëfen ai mosmarrëveshjet që thotë se ka me Stubllën.
Deri në mesnatën e së martës, Meliza Haradinaj-Stublla ndodhej jashtë tetëshes së kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputetë, të cilët do të plotësonin tetë mandatet e fituara të partisë në legjislaturën e ardhshme.
Bazuar në regjistrin e Formularëve të Rezultateve të Kandidatëve, në orën 00:46 të datës 3 mars, ministrja në largim e Punëve të Jashtme numëronte rreth 60 vota më pak sesa, kandidatja tjetër e AAK-së[emër i njohur për redaksinë], raporton Gazeta Insajderi.
24 orë më parë, regjistrat e formularëve të rezultateve të kandidatëve (FRK) shfaqnin kandidaten e dëmtuar në avantazh prej rreth 250 votash me Haradinaj-Stubllën.
Meliza Haradinaj-Stublla dhe bashkëshorti i saj Dardani, ende nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës rreth kësaj çështjeje.
Në avantazh në raport me Stubllen ishte edhe Florentina Gjergjaj, e cila tashmë e ka akuzuar publikisht kryediplomaten për vjedhje votash dhe e ka dorëzuar një ankesë në PZAP.
Ndaj këtyre akuzave ka reaguar të premten, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka paralajmëruar padi në gjykatë për mediat që kanë publikuar shkrime për manipulim votash.
Gjatë numërimit të votave nga diaspora në Qendrën e Numërimit të Rezultateve për kandidatët, brenda ditës së martë Haradinaj-Stublla do të ngrihej me vota mbi kandidatwn tjetwr. Do të siguronte numrat e mjaftueshëm për t’u renditur kandidatja e tretë grua më e votuar në listën e AAK-së.
Përmbysja e rezultatit është bërë me direktivat e bashkëshortit të Haradinaj-Stubllës, rrëfen Arbër Krasniqi.
“Ka pasë rast kur e kanë përmend 57-shin. Më kanë thanë ndalja hovin [kandidates me numër 57]”, shpjegon Arbër Krasniqi, i prezantuar si “Arigon Beka”.
Nga aty e tutje, “Arigoni” zotohet të punojë për personin e dëmtuar, pasi pranon t’i ketë shkaktuar atij dëme në vota, në tentim për ta favorizuar Haradinaj-Stubllën.
“Qikjo punë ka me shku qysh është fol. Ka me dal e dyta. [Marrëveshja] ka me pasë efekt. Atë [Meliza Haradinajn, v.j] s’mundemi me ndal menjëherë, por duhet me ndal dhe kjo […. v.j] me dal e dyta”, garanton Krasniqi.
Ndonëse shprehet i shqetësuar se “çka do t’i thotë Dardanit [Stubllës,v.j]”, ai i premton personit të dëmtuar 700 vota për kandidaten e tij në listën e partisë për deputetë.
“Ma shumë të japë. Veç kryje punën, ma shumë ti. Burrash po të thom qit punë me ba”, i thotë personi i dëmtuar, Krasniqit, duke i premtuar rrejshëm para në mënyrë që të sigurojë dëshmi për ta dërguar rastin në Prokurori bashkë me të gjitha provat e siguruara.
Ai tregon se do të bëjë gjithçka që të sjell drejtësi, për çka ai e ka shpjeguar si manipulim të madh të votave në dëmin e tij.
“Arigon, ngom diçka! Veç mirë, ngom me vëmendje diçka; këqyre, faktikisht çka ke ba ti deri sot, nëse dikujna naj herë në jetë ia ke q* nanen, ma ke q* mu. Më ke shkatërru, se kur ke ba ti knej, na ke dëmtu knej”, thotë me mllef personi i dëmtuar.
Në përgjimin e komisionerëve të AAK-së përmendet edhe emri i Florentina Gjergjajt, kandidatja e AAK-së për deputete, nga Gjakova, e cila ka kontestuar zyrtarisht votat e dyshimta të Meliza Haradinaj-Stubllës.
Gjergjaj, e cila pretendon se i janë vjedhur votat, ka deponuar të premten ankesë në PZAP me kërkesë për rinumërimin e votave të saj, Haradinaj-Stubllës dhe kandidates për të cilën kërkojnë vota nga Arigoni dy aketrët e përgjimit.
Sipas saj, të gjithë kandidatët tjerë të AAK-së kanë patur ndryshime të vogla në shifra votash, por jo Meliza Haradinaj-Stublla.
Ankesa në PZAP e kandidates nga Gjakova pretendon se ministrja e Punëve të Jashtme është e vetmja që është ngritur dhe është pretenduar se ka fituar 1/3-n e votave me kusht, të cilat i kanë takuar AAK-së.
Në një kundërpërgjigje në Facebook, Haradinaj-Stublla paralajmëroi padi ndaj Florentina Gjergjajt. I vlerësoi “shpifje dhe fyerje” pretendimet e bashkë-partiakes së saj.
“Për shpifjet dhe fyerjet kundër meje të cilat po qarkullojnë në disa portale, kandidatja në fjalë do të përgjigjet në gjykatë. Disa herë kam garuar në të kaluarën, dhe pavarësisht rezultatit, gjithmonë kam respektuar vullnetin qytetar”, shkroi Haradinaj-Stublla të premten.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi 7.07 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Përkthyer në mandate në kuvend, partia e Ramush Haradinaj do të përfaqësohet nga tetë ligjvënës.
Në përgjim zbulohet po ashtu se komisionerët e QNR-së, kanë manipuluar vota edhe në të kaluarën. Përmendet Shkumbin Demalijaj, të cilit në zgjedhjet e kaluara ia kanë shtuar votat dhe e kanë bërë deputet./Insajderi.org