Të domosdoshme aksionet e prokurorisë dhe policisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Prokuroria e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për disa ditë radhazi kanë ndërmarr disa aksione kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në disa institucione vendore, këto aksione po konsiderohen të domosdoshme dhe duhet të jenë të përditshme.

Kështu vlerësoi në një prononcim për Telegrafin Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili tha se prokuroria në bashkëpunim me policinë duhet të mbledh provat sipas rregullave të procedurës penale.

“Konsiderojmë që aksionet e tilla janë të domosdoshme dhe duhet të jenë të përditëshme, kjo pasi që e keqja dhe korrupsioni në vend ka zënë rrënjë. Normalisht që prokurori në bashkëpunim me policinë duhet të mbledh provat sipas rregullave të procedurës penale”, ka thënë Spahija.

Se si do të përfundojnë këto raste, Spahija u shpreh se mbetet të shihet në vazhdim.

“Nëse provat janë marr sipas rregullave të procedurës dhe se gjykata i shpallë të pranueshme, po ashtu nëse dëshmitarët e rasteve tregojnë të vërtetën e asaj çka ka ndodhur, atëherë mund të kemi rezultate konkrete me dënime për kryesit e këtyre veprave”, tha për Telegrafin, Florent Spahija.

Ndryshe, të premten Prokuroria e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arrestuar tetë zyrtarë policorë, ndër ta dy femra dhe një pjesëtar i komunitetit serb për vepra të ndryshme penale.

Ndërsa, më 24 shkurt 2021, Policia e Kosovës, Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, realizoi bastisje në Ministrinë e Bujqësisë ku në kuadër të saj është Agjencioni i Pavarur për Zhvillim të Bujqësisë.

Bastisje u realizua edhe në Istog, Gjilan, Podujevë e Lipjan, ku në përfundim të operacionit në pranga përfunduan 12 persona nën dyshimin për keqpërdorime të fondeve dhe subvencioneve, si dhe u sekuestruan 400 mijë euro.

Një ditë më pas, më 25 shkurt 2021, Policia e Kosovës arrestoi edhe nëntë persona në kuadër të operacionit “Subvencioni 2021”, të dyshuar të cilët dyshohet se përmes dhënies së ryshfetit kanë arritur që të marrin subvencione nga Ministria e Bujqësisë.

Këta persona u arrestuan në lokacione të ndryshme përfshirë komunat në vijim: tre (3) persona nga Komuna e Istogut, dy (2) persona nga Komuna e Lipjanit, një (1) person nga Komuna e Ferizajt, një (1) person nga Komuna e Prishtinës dhe dy (2) persona nga Komuna e Pejës.

Ndërkaq, më 25 shkurt 2021, Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditura detaje të reja lidhur me vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit që ndodhi në tetor të vitit të kaluar.

Prokuroria njoftoi se janë bllokuar 34 llogari bankare të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri Kadri Shala, pronar i LDA Group. Po ashtu janë bllokuar 600 mijë euro, si dhe janë sekuestruar 4 vetura vlera e të cilave kap shumën rreth 100 mijë euro.

Prokuroria ka theksuar se në proces të realizmit të kthimit të të hollave të cilat janë tërhequr nga bankat komerciale në emër të realizmit të mbitërheqjeve, kredive etj, e të cilat kanë gjeneruar nga transferi i paligjshëm i realizuar nga ana e të pandehurve nga Thesari i Shtetit.

Lidhur me këtë rast vazhdojnë të jenë në paraburgim dy persona, Labinot Gruda dhe Kadri Shala.

Po ashtu Policia e Kosovës vazhdoi me luftimin e aferave korruptive, në mesin e të cilëve janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë, ku ditë më parë u shoqëruan në polici, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Përveç Krasniqit, policia njoftoi se ka arrestuar edhe një person tjetër.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka shoqëruar për intervistim dy persona. Të njëjtit janë shoqëruar në polici për intervistim mbi dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, deklaruan ditë më parë për Telegrafin nga zyra për informim e PK-së.