Infektologu Tolaj thotë se nuk ka nevojë që masat antiCOVID të shtrëngohen

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dje ka thënë se masat antiCOVID që janë në fuqi do të vazhdojnë, si dhe do të shihet nëse do të ketë vlerësim të masave në zona të caktuara.

Ai ka paralajmëruar masa rigoroze nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve.

Por ndryshe mendon infektologu, Ilir Tolaj. Në një përgjigje për Sinjalin, ai ka thënë se nuk ka nevojë që masat antiCOVID të shtrëngohen.

“Mendoj se ende nuk ka arsyeshmëri epidemiologjike për shtrëngimin e mëtejmë të masave. Rritja e numrit të rasteve të reja është ende në masë të kontrolluar, që arsyeton mbajtjen  e masave të deritashme. Ajo që është shqetësuese është se edhe masat e deritashme nuk po respektohen nga askush”, ka thënë Tolaj për Sinjalin. 

Sipas tij, situata me pandeminë në Kosovë është stabile, edhe përkundër numrit të rasteve të reja të infeksionit që javët e fundit ka filluar të rritet. 

“Situata epidemiologjike në Kosovë lidhur me COVID-19, përkundër rritjes se numrit të rasteve të reja në javët e fundit, mund të thuhet se është ende stabile. Numri i rasteve të reja nuk është drastik ndërsa numri i rasteve që kërkojnë hospitalizim nuk është i papërballueshem për sistemin shëndetësor“, shtoi ai tutje.

Të premten, Kosova regjistroi shtatë viktima nga koronavirusi. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike nga 3.192 mostra të testuara, janë regjistruar edhe 564 raste të reja me COVID-19.

Kosova është i vetmi vend në Evropë që ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Të premten, më 5 mars, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se gjatë këtij muaji pritet arritja e kontingjentit të parë të vaksinave prej 33 mijë dozash nga programi COVAX.