Shqipëria shënon 18 viktima dhe 333 të prekur nga COVID-19

Në Shqipëri numri i të prekurve me koronavirus ka shkuar në 333 persona dhe deri tani kanë humbur jetën 18 pacientë.

Marjeta Dervishi, specialiste në Institutin e Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit nga testet e kryera kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 29 qytetarë.

“Ju informojmë se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv një pacient 67 vjecar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19. Pacienti ishte i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv, prej 6 ditësh ishte i intubuar dhe në hemodializë që e kryente brenda spitalit Infektiv. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 67 vjecari ka ndërruar jetë”, tha Dervishi.

Mosha mesatare e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri është 50 vjeç.

Marjeta Dervishi tregoi se edhe numri i të shtruarve në shërbimin infektiv dhe rasteve që janë në terapi intenzive është shtuar.

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar”, tha zonja Dervishi.

Sipas saj, në dy spitalet që trajtojnë vetëm rastet me koronavirus në Shqipëri aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë, ndërkohë harta e të prekurve është zgjeruar në Tiranë, Durrës, Elbasan Has, Lushnje, Kavajë, Lezhë, dhe Shkodër.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19”, u shpreh Dervishi.

“Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 10 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 99”, tha ajo.

Pamje nga një spital në Itali.

LEXONI EDHE KËTË:

Shqipëria i del në ndihmë Italisë, i dërgon mjekë e infermierë

Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në faqen e saj në Facebook tha se janë shëruar 3 infermierë të prekur nga COVID-19, pas testit konfirmues, duke e ccuar në 18 numrin e të shëruarve nga stafi mjekësor.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama në profilin e tij në “Facebook” ka postuar fotokrafi ku shihet një numër i madh i qytetarëve nëpër pazaret në Tiranë, duke mos respektuar distancën e kërkuar nga autoritetet.

“Nëse ky është niveli i kuptimit të detyrës qytetare në frontin e kësaj lufte për jetë a vdekje dhe meqë mesa duket ecurinë pozitive të luftës deri tani, shumëkush po e kupton gabimisht si arsye për t’u lëshuar me idenë se s’na gjen gjë, atëherë përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk do të hyjë në rresht për të mbajtur radhë”, shkruan Rama.

Ai i bëri thirrje Policisë dhe Ushtrisë që të formojnë kordonët sanitarë të tregjeve dhe të frenojnë çdo abuzim të qytetarëve.

“Ushtria dhe policitë bashkiake do të krijojnë urgjentisht kordonët sanitarë të tregjeve. policia e shtetit do të godasë shkelësit me masa të reja ndëshkimore! Masat e reja ndëshkimore do të jenë ligj ditën e hënë dhe për kokëshkretët do të shkohet deri në heqje lirie! nëse do të lehtësojmë me pikatore popullin e përgjegjshëm, kokëshkretëve do t’ua bëjmë ferr këtë sjellje që na fut në zjarr të gjithëve!”, shtoi ai.

Një ditë më parë, kryeministri e ka quajtur “zonë zjarri” Shqipërinë, pasi që pa marrë parasysh masat e marra nga autoritetet, numri i të prekurve me koronavirus po vazhdon të ngrihet.

Për mosrespektimin e distancës sociale ka reaguar edhe presidenti i vendit Ilir Meta. Ai i ka ftuar qytetarët të “respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale COVID-19, pasi kjo është në interesin tonë të përbashkët”.

“Në këtë mënyrë jo vetëm mbrojmë shëndetin tonë, por ndihmojmë njëkohësisht mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon dhe rrezikon për shëndetin e të gjithëve ne”, tha presidenti Meta.