Përkundër pandemisë që po mbizotëron tash e disa javë, punëtorët e KEDS-it në terren nuk janë ndalur asnjëherë. Vetëm që konsumatorët të kenë furnizim pa ndërprerje me energji elektrike në këto kohë të vështira për të gjithë, ekipet e KEDS kanë intervenuar vazhdimisht në terren. Falë intervenimeve të tyre dhe përkushtimit maksimal të kompanisë të jetë gjithnjë në shërbim të konsumatorëve, furnizimi me energji elektrike është i vazhdueshëm. Edhe në rastet kur ka ndonjë defekt, ai po sanohet menjëherë.
Pos terrenit, në dispozicion të plotë janë edhe Qendra Dispeçerike e cila intervenon dhe përkujdeset vazhdimisht nga qendra që çdo gjë të jetë në rregull dhe Qendra e Thirrjeve, që po u përgjigjet secilës brengë të qytetarëve përmes telefonatave të vazhdueshme që po bëjnë.
Kërkesa për energji elektrike me reduktimin e aktiviteteve ekonomike është ulur për konsumatorët komercialë, por është rritur ndjeshëm për ata të amvisërisë, për shkak të qëndrimit të qytetarëve në izolim shtëpiak. Por, KEDS/KESCO kanë ndërmarrë masat duke siguruar energji të bollshme për secilin.
Paralelisht me operimet bazike që sigurojnë furnizim stabil me energji elektrike, KEDS ka ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse ndaj koronavirusit, në bazë të vendimeve të Qeverisë së Kosovës dhe udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Punëtorët janë të pajisur me të gjitha pajisjet mbrojtëse, sikurse kanë edhe udhëzimet e qarta si të veprojnë në secilën situatë që mund të paraqitet.