Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka shpalosur disa detaje pas takimit të tij me të dërguarin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një postim në twitter, Kurti ka shkruar se ka kërkuar një bashkëpunim të SHBA-së dhe BE-së për këtë dialog teksa ka thënë se dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me principe.
“Mbrëmë mirëprita Miroslav Lajçakun, të Dërguarin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, në zyret e VV-së. Ai i përcolli urimet e tij më të mira qeverisë në ardhje dhe unë e informova atë për përparësitë tona kryesore që janë vendet e punës dhe drejtësia”, shtoi ai.
Sa i përket dialogut, Kurti bëri të ditur se është shumë i rëndësishëm, duke shtuar se duhet të jetë “transatlantik”.
“Ne të dy ramë dakord që dialogu është i rëndësishëm dhe duhet të jetë i përgatitur mirë dhe parimor. Duhet të jetë transformues dhe transparent, në mënyrë që qytetarët të jenë përfituesit dhe duhet të jetë transatlantik – i koordinuar mirë ndërmjet SHBA-së dhe BE-së”.
Ndryshe, lideri i VV-së ka bërë të ditur kohë më parë se dialogu nuk do të jetë prioritet i tij dhe se e konsideron si prioritetin e gjashtë, por që më vonë ndërroi qasje dhe e vendosi si prioritetin e katërt.