Teksa ende Kosova është në pritje të vaksinave të para kundër koronavirusit, në vend mbrëmë është paralajmëruar të arrijnë shiringat të cilat do të përdoren për vaksinat antiCOVID.
Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, ka shkruar të enjten në mbrëmje në Twitter se “sonte pritet të vijnë shiringat e para që do të përdoren për vaksinat ndaj COVID-19”.
Ai ka thënë se së shpejti do të jepen detajet për arritjen e vaksinave.
Autoritetet në vend kishin premtuar kohë më parë se në muajin shkurt do të nisë vaksinimi i kosovarëve me vaksinat antiCOVID. Megjithatë, deri tash Kosova ka ngecur vetëm me frigoriferët për ruajtjen e këtyre vaksinave, dhe tash po bëhet edhe me shiringa.
Sigurimi i vaksinës antiCOVID është përdorur në masë të madhe nga partitë politike edhe për fushatë zgjedhore, ku secila parti premtonte se do ta arrinte vaksinimin e mbi 70% të popullsisë. Kosova vazhdon të jetë ndër vendet e pakta që ende nuk ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit, derisa numri i rasteve të reja po shënon rritje.
Vaksinat e AstraZenecas nga programi COVAX, pritet të jenë të parat që do të arrijnë në Kosovë.