Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një njoftimi ka reaguar lidhur me çështjen e dorëheqjeve të paralajmëruara nga kjo parti pas rezultatit të dobët të arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas tyre, askush nuk ka dhënë dorëheqje “vetëm kryetari Isa Mustafa ka paralajmëruar se do të ofrojë dorëheqje në Kuvendin e partisë kurdo që do të mbahet”.
“Për sqarim të opinionit, Kryesia e LDK-së nuk është në dorëheqje, si e cilësojnë disa media, por me autoritet të plotë deri në riorganizimet që mund të ndodhin pas zgjedhjes së Kryetarit. Vetëm kryetari i LDK-së ka paralajmëruar dorëheqje, të cilën do t’ia ofrojë Kuvendit të LDK-së”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Informim të LDK-së.
Ndryshe në ditën kur kryetari Isa Mustafa ka folur për dorëheqjen, nënkryetari Lutfi Haziri ka thënë se “e gjithë kryesia e LDK-së është në dorëheqje”.