Dogana po zbaton reciprocitetin me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari dhe ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, vizitoi Doganën e Kosovës ku takoi u.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Ibrahim Xhaka dhe bashkëpunëtorit e tij.

Gjatë këtij takimi, Xhaka e njoftoi Kryeministrin në detyrë Kurti lidhur me mbarëvajtjen e punës së Doganave pas situatës së krijuar nga COVID 19 dhe në të njëjtën kohë, mbi zbatueshmërinë e vendimit të Qeverisë në detyrë për masat e para reciproke ndaj Serbisë.

Sipas raporteve të Doganave, ky vendim është duke u zbatuar në përpikëri që nga dita e hyrjes në fuqi.

 Kryeministri në detyrë, Kurti ritheksoi se reciprociteti buron nga parimi i barazisë, dhe se me vendimin e Qeverisë për masat e para të reciprocitetit po zbatojmë reciprocitet gradual, derisa njëkohësisht po ndërtojmë gradualisht kapacitetet për zbatim efikas të tyre.

Ai falënderoi Doganat për punën e tyre dhe bashkëpunimin me ministritë e linjës, si dhe iu uroi punë të mbarë.