Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, lidhur me incidentin ndaj gazetarit Visar Duriqit se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”.
Prokurori i Shtetit e ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të rastit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.
Pas trajtimit mjekësor që ka pranuar, gazetari Visar Duriqi ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës në Prishtinë.
Ai ka thënë për mediat se rrahja ka zgjatur rreth një minutë e gjysmë, ndërsa sulmi ka nisur nga një person fillimisht derisa më pas janë përfshirë edhe dy të tjerë.
Duriqi ka deklaruar se i ka katër dhëmbë të thyer, nofullën dhe hundën të dëmtuar si dhe lëndime të tjera.
Gazetari Duriqi pohon se ka pranuar kërcënime nga viti 2014, teksa shton se sulmi mund të ketë ardhur për shkak të punës së tij në dokumentarin hulumtues që e transmeton në TV dhe media online.