Mali i Zi e dënoi publikimin e emrave të të sëmurëve me koronavirus, duke thënë se me këtë veprim shkelen të drejtat themelore të qytetarëve.
Në mediat sociale është shpërndarë një listë me emrat e mbi 60 personave të infektuar nga Podgorica.
Në mesin e të dhënave të tjera janë publikuar edhe numri identifikues dhe viti i lindjes.
Qeveria malazeze u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse shtetërore që të hetojnë burimin e kësaj liste dhe t’i identifikojnë ata që shpërndajnë informacione të tilla.
“Presim që institucionet kompetente të ndërmarrin hapa urgjentë në këtë drejtim dhe të informojnë publikun për rezultatin e hetimit. Kujtojmë që kemi kërkuar të hetohet edhe çështja e 21 marsit, kur është bërë publike një listë e personave në izolim, me numra identifikimi”, tha Qeveria malazeze përmes një postimi në Twitter.