Detaje të reja nga aksioni i djeshëm i Policisë: Çka u konfiskua në total

Policia e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda, dje ka zhvilluar një aksion në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë ku pati edhe të arrestuar.

Gazeta Sinjali ju sjell sot detaje edhe më të hollësishme nga ky aksion, si dhe gjithçka që u konfiskua. 

Gjatët aksionit “Subvencioni 2021”, kanë arrestuar 10 zyrtarë nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje/dhënie ryshfeti”. 

Sinjali mëson se në bazë të bastisjeve të djeshme në disa zyre dhe vendbanime të personave janë konfiskuar 433,160.00 euro 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona,  8 vetura, 1 kompjuter, 5 armë, 1 USB dhe 1 vulë. 

Në aksionin në Batllavë, Policia gjatë një bastisje në një shtëpi ka konfiskuar një pistoletë CZ 99 me nëntë fishekë, një pushkë automatike me 18 fishekë PPU 1960 dhe 55 fishekë te kalibrit 7.57mm. 

Ndërkaq, në një tjetër shtëpi, Sinjali mëson se Policia ka konfiskuar një pushkë gjuetie, një AK-47, një pistoletë Sig Sauer dhe 168 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Përveç kryeshefit në detyrë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agim Nuhës, në këtë aksion u arrestuan edhe Hasan Maxharraj – Përgjegjës për Zhvillim të BPH-së, Drejtoria e BPH-së, Kushtrim Zogaj – Zyrtar për Shërbime Këshillimore – Komuna Istog, Agim Nuha – Shef i njësisë DZHRSHK, Sadat Shkodra – Zyrtar i lartë shpenzues/ Drejtoria për Buxhet dhe Financa, Luan Statovci – Drejtor i Drejtorisë për pagesa direkte/ Agjencioni për Zhvillimin e Bujqësisë, Berat Nika – DP/MPBPZHR, 8. Pajtim Krasniqi – Zyrtar për monitorim dhe mbrojtje/ MBPZHR, Adushe Ukshini – Zyrtare e kontrollit ne teren Gjilan/ MBPZHR-AZHB, Kastriote Bajrami – Zyrtare e personelit/ MBPZHR. Përveç tyre gjatë këtij aksioni janë arrestuar edhe Driton Alaj dhe Shpejtim Krasniqi.