Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka reaguar në lidhje me arrestimet që janë kryer sot nga Policia e Kosovës, konkretisht nga Departamenti i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në disa lokacione të vendit dhe në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Hoti përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se pret hetim të plotë, gjithëpërfshirës dhe të shpejtë ndaj kujtdo që është përfshirë në rastin e subvencioneve bujqësore.
Hoti tha se fajtorët duhet të marrin dënimin maksimal.
“Pres hetim të plotë, gjithëpërfshirës dhe të shpejtë ndaj kujtdo që është i përfshirë në rastin e subvencioneve bujqësore. Fajtoret duhet të marrin dënimin maksimal”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq ai tha se personat e arrestuar nuk e meritojnë të jenë në institucionet e vendit.
“Këta njerëz nuk e meritojnë të jenë në institucione”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri në detyrë, Hoti.