Ishte në veturë kur ajo u përfshi nga zjarri, Bajqinovci: Gati u dogja edhe unë


Vetura e kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, sonte është përfshirë nga zjarri derisa ai ishte në të. 

Ngjarjen e ka konfirmuar vetë Bajqinovci, i cili tha se nuk e di arsyen deri tani se pse ka ardhur deri te zjarri.

“Vetura më është djegur dhe kam qenë në të, më shumë nuk kam çfarë të them. Ende nuk e di nëse përfshirë në zjarr nga ndonjë defekt, problem teknik apo diçka tjetër, veç gati u djega në të edhe unë”, tha ai për Kallxo.com.

Rastin e djegies së veturës e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 19:00 është raportuar për një veturë me targë Kosove të përfshirë nga zjarri në lagjen Arbëria në Prishtinë. Nga zjarri është prekur edhe një veturë afër veturës që kishte marrë flakë”, tha Borovci.

Sipas tij, Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët e kanë menaxhuar  përhapjen e zjarrit.