Hysni Gërguri ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri.
Gërguri thotë se arsye për këtë vendim, është rezultati i dobët në zgjedhjet nacionale në komunën e Vushtrrisë, përcjellë Klan Kosova.
”Për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhje nacionale në Komunën tonë( edhe për kundër faktit që më tepër se 3 vite e kemi pushtetin lokal),e ndjeva si obligim moral të jap dorëheqje nga Kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri( të cilën e paraqita para Kryesisë së Degës).
Unë e kam marrur udhëheqjen e Degës në gjendje shumë të rëndë në vitin 2010, me shumë grupacione, pas thyerjes së Degës në vitin 2004 dhe humbjes “në tavolinë “, te pushtetit Komunal edhe pse LDK e ka patur të fituar deri në vitin 2007, si dhe pas thyerjes së LDK-së në nivelin qendror në vitin 2006.
Bashkërisht me strukturat e mirëfillta kemi arrijtë që ta stabilizojmë Degën, duke ju dhënë hapësirë të gjithëve, në veçanti të rinjëve dhe femrës dhe si rezultat i kësaj i fituam zgjedhjet Komunale në vitin 2017.
Pa modesti vlen te thekësoj kontributin financiar për Degën të cilën gjë e dijnë qytetarët e Vushtrrisë dhe niveli qendror i LDK- së, kontributin financiar për Sportin e Vushtrrisë, kontributin 40 vjeqar si mjek dhe si Specialist -Radiolog, kontributin në sindikatën e pavarur në Shtëpinë e shëndetit në Vushtrri nga viti 1990,pastaj si Drejtor Komunal për Shëndetësi në pushtetin e atëhershëm paralel, si dhe kontributin tim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-1999.
Falënderoj me respekt e nderim të gjithë përkrahësitë e mi, jo vetëm në këto zgjedhje që më mbështetën me votën e tyre e cila për mua do të mbetet gjithmonë si një vlerësim i shenjët”.
Ndërsa përmes facebook-ut, në reagimin e tij ka falënderuar të gjithë aktivistët dhe simpatizantët e LDK-së, ai gjithashtu ka njoftuar se jep dorëheqje edhe nga detyra e asambleistit të Kuvendit Komunal në Vushtrri.
”Falënderoj përzemërsisht të gjithë aktivistët dhe simpatizantët e devotshëm dhe besnik te LDK-së, për përkrahjen e sinqertë dhe pa kushte, ndërsa për ata që bënë hile tash e 11 vite sa isha Kryetar Dege, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre.
Jap dorëheqje edhe nga asambleisti i Kuvendit Komunal në Vushtrri, për ta dëshmuar edhe njëherë, që në funksione të LDK-së, nuk kam qëndruar për interesa të ngushta personale,sepse interesi për LDK-në dhe Kosovën, gjithmonë për mua ka qenë dhe do të mbetet mbi interesin personal.
Njoftoj të gjitha strukturat qendrore, ato lokale dhe miqtë e mi se unë tërë jetën time do ti qëndroj besnik LDK-së”.