Zyberaj kërkon që KQZ ta bëjë rinumërimin e votave për kandidatët për deputetë
10 mins më parë
“Në bazë të provave që kemi, mund të them me përgjegjësi të plotë se manipulimi ka ndodhur me votat e kandidatëve të subjekteve politike brenda listës”.
Kandidati për deputet nga partia Aleanca Kosova e Re, Jetlir Zyberaj, ka kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta bëjë rinumërimin e votave për kandidatët për deputetë.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë janë bërë manipulime nga ana e komisionarëve.
“Më lejoni që fillimisht ta përgëzoj KQZ-në për organizim jashtëzakonisht të mirë ditën e diel. Ka qenë proces që është menaxhuar nga KQZ dhe deri në momentin që janë përmbyllur vendvotimet ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se edhe herëve tjera probleme kemi pasur me numërimin e votave për kandidatë të subjekteve politike – edhe vitin e kaluar ka pasur gjetje të manipulimeve me komisionarë që për interesa të disave manipulojnë me vota”.
“Në nuk kemi ngritur shqetësime për manipulim votash ndërmjet subjekteve politike, por manipulimi ndodh me votat e kandidatëve të subjekteve politike”.
Sipas tij, ky problem nuk qëndron vetëm me kandidatët e AKR-së, por ky fenomen qëndron tek të gjitha subjektet politike.
“Është e rëndësishme që KQZ për ta përmbyllur këtë proces me sukses, të vendosë që të rinumërohen votat e kandidatëve në QNR”.
“Në bazë të provave që kemi, mund të them me përgjegjësi të plotë se manipulimi ka ndodhur me votat e kandidatëve të subjekteve politike brenda listës”.