Krasniqi reagon ndaj prokurorit Smith: Nuk mund të flasësh në emër të qytetarëve të Kosovës

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratave të prokurorit Jack Smith, duke thënë se ai mos të flasë në emër të qytetarëve të Kosovës.

Krasniqi ka thënë se Smith mund të flasë vetëm si mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit të Serbisë që ka kryer ndaj popullit të Kosovës.

“Reagim i imi në fjalën e prokurorit Smith, kur foli në emër të popullit të Kosovës. Në emër të qytetarëve të Kosovës, në emër të popullit të Kosovës, mund të flasim ne përfaqësuesit e tij. Unë 45 vjet të jetës i kam të angazhuara për lirinë, drejtësinë dhe çlirimin e kombit tim nga robëria. Në zgjedhjet e vitit 1992, kam qenë i zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës që regjimi kriminel i Serbisë nuk e lejoi të konstituohej. Pas luftës çlirimtare kam qenë në të gjitha legjislaturat, deri në atë të vitit 2014, përfaqësues i qytetarëve të Kosovës. Dhe kisha lutur prokurorin nëse duhet të flas në emër të dikujt, ose duhet të flas në emër të krimeve të pretenduara, le të bëhet mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit që regjimi i Serbisë ka përdorur kundër kombit tim nga viti 1876-78 të shekullit XIV. Prandaj në emër të popullit tim, në emër të kombit tim, në emër të luftës dhe sakrificave të mëdha të vendit, flasim ne përfaqësuesit e tij e jo ata që tentojnë të dënojnë luftën shumëvjeçare të kombit tim, e në mënyrë të veçantë luftën e fundit të popullit tim për liri, drejtësi, pavarësi e për shtetndërtim, për të cilën dhe e kemi fituar mbështetjen ndërkombëtare. E kemi çliruar Kosovën e Kosova sot është shtet i pavarur, i lirë nga ai regjim”, ka thënë Krasniqi, ish-zëdhënës i UÇK-së.