Qeveria në detyrë i Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhje elektronike të radhës, ku ka marrë disa vendime.
Përveç, emërimit të bordit të ri për Postën e Kosovës dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka bërë edhe miratimin e Udhëzimit Administrativ për Përcaktimin e Procedurave për Shkatërrimin e Strukturave të Paligjshme, është dokumenti i parë që ka marr miratimin nga kabineti qeveritar. Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është përcaktimi i procedurave për aplikimin e mjetit juridik shkatërrimit të strukturave të paligjshme nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës lidhur me zbatimin e vendimeve të plotfuqishme të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe aktgjykimeve të Panelit të Ankesave pranë Gjykatës Supreme.
“Pas shqyrtimit nga Qeveria është miratuar Vendimi për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve dhe emërimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A. Në propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, thuhet se ekzistojnë së paku katër arsye kryesore për shkarkimin e bordit të drejtorëve: 1. Shpërfillja e humbjeve të shkaktuara nga kryeshefi; 2. Mosadresimi i opinionit të Auditorit; 3. Mosadresimi i gjetjeve të auditorit të brendshëm; dhe 4. Emërimi i parregullt i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.
Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes janë emëruar:
1. Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor;
2. Hajrie Morina, drejtore;
3. Seat Bilbani, drejtor; dhe
4. Idriz Maliqi, drejtor.
Edhe vendimi për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve dhe emërimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore “Posta e Kosovës” Sh.A., është aprovuar nga kabineti qeveritar. Sipas Ligjit, Qeveria duhet t’i shkarkojë drejtorët kur ka “arsye për të besuar” se kanë shkelur detyrat fiduciare. Në raportin për vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinionin se pasqyrat vjetore financiare të Postës nuk paraqesin gjendjen e drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në këtë ndërmarrje.
Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes janë emëruar:
1. Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor;
2. Kujtim Shala, drejtor;
3. Sajmie Thaçi, drejtore; dhe
4. Blerton Abazi, drejtor.
Miratimin nga kabineti qeveritar e ka marr edhe Vendimi për emërimin e Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A. , në këtë përbërje:
1. Enis Berisha, kryesues dhe drejtor;
2. Vjollca Jashari, drejtore;
3. Artan Dermaku, drejtor; dhe
4. Abdullah Lala, drejtor.
Në mbledhje është miratuar edhe Vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, për shërbimet telekomunikuese që ofron “Telekomi i Kosovës SH.A.”, si shërbime me rëndësi të veçantë shtetërore. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ofron shërbime të rrjetit kompjuterik dhe të internetit për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Ajo shfrytëzon rrjetin optik nëntokësorë të huazuar nga Telekomi i Kosovës, që mbulon pjesën dërmuese të vendit. Falë kësaj funksionon sistemi i regjistrit qendror civil, regjistri i bizneseve, regjistri i pronës, sistemi i pagesave, sistemi i pensioneve, sistemi informativ shëndetësor, regjistrimi i automjeteve, tatimi në pronë, sistemi i intranetit të komunave, sistemi i menaxhimit të burimeve njerëzore dhe shumë burime tjera elektronike që ofrohen për administratën, qytetarët dhe bizneset. Këto shërbime nuk mund t’i ofrojë asnjë operator tjetër telekomunikues në Kosovë.