Bartësi i listës zgjedhore së Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se dialogu me Serbinë duhet të jetë një dialog i qëndrueshëm, përmes një qasjeje më ndryshe nga ajo e deritanishmja.
Në një intervistë për APNEWS, Kurti ka deklaruar se në dialogun me Serbinë duhet pasur parasysh parimet dhe vlerat e vendit, ku sipas tij, për këtë proces, duhet vendosur një dimension trans-atlantik.
“Ne besojmë se për të pasur një dialog dhe marrëveshje të qëndrueshme, duhet ndryshuar qasjen nga ajo e cila ishte tipike për administratën e mëhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikë. Qasja duhet jetë transformuese ku nuk duhet kontrolluar vetëm interesat dhe faktet, por edhe vlerat dhe parimet. Kjo mund të jetë si një kornizë e Bashkimit Evropian dhe integrimit euro-atlantik, si një qëllim për dy vendet”, ka deklaruar Kurti.
Ai tutje ka thënë se Kosova do të përgatitet për të aplikuar për statusin e kandidatit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian si Republika e Kosovës.
“Nga ana tjetër, besoj se BE-ja duhet të dalë me një lloj mini-plani për Ballkanin Perëndimor, ngjashëm me atë që bëri SHBA-ja për Evropën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Unë vazhdimisht u thoja miqve gjermanë dhe francezëve që na lejoni sepse të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, e kanë BE-në si partner të rëndësishëm. Historia na mëson se Ballkani është i rëndësishëm për Evropën”, ka potencuar tutje lideri i Vetëvendosjes.
Ndërkohë, duke folur për diasporën shqiptare, Kurti ka deklaruar se kur të jetë në krye të qeverisë, do të bashkëpunojë me të pasi që sipas tij, biznesmenët e suksesshëm shqiptarë gjenden jashtë vendit.
“Ne kemi një program të veçantë për të përfshirë diasporën tonë në institucionet shtetërore, në universitet por edhe në sektorin e biznesit”, ka shtuar ai.