Greqia kërkon 65 mijë punëtorë, do të pajisen me dokumente të përhershme

Greqia kërkon zyrtarisht 65 mijë punëtorë sezonal. Të parët që preferohen janë shtetasit nga Shqipëria të cilët janë edhe grupi më i madh i emigrantëve në vendin fqinj.

Është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi për lejet e qëndrimit që do t’u jepen punëtorëve të sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në Greqi.

Për herë të parë Qeveria greke ka vendosur që përveç punëtorëve që marrin leje qëndrimi çdo vit në Greqi në bazë të ligjeve në fuqi, të vendosë edhe kuotat e punëtorëve sezonal që do të kenë të drejtë të punësohen në çdo sektor, më konkretisht 65 mijë në bujqësi dhe rreth 10 mijë në blegtori me leje të përkohshme qëndrimi sezonal si dhe 18 mijë vende të reja në bujqësi dhe 10 mijë të tjera në blegtori me leje qëndrimi të përhershme.

Tashmë lejet zyrtare të qëndrimit që parashikohen edhe për punëtorët sezonal japin mundësinë për qëndrim të ligjshëm të përkohshëm në Greqi, çka më parë ka qenë e pa mundur.

Vendimi i ri i Qeverisë greke shënon një etapë tjetër në këtë proces, duke zyrtarizuar tashmë statusin e tyre dhe duke krijuar vende konkrete pune. Vendin e parë për krahë pune mban prefektura e Imathisë me 12 mijë leje pune, e ndjekur nga Halkidhiki me 10-të dhe Pela me rreth 7 mijë leje, raporton TCH.

I rëndësishëm është fakti që pala greke dëshiron ta zyrtarizojë këtë bashkëpunim kryesisht me Shqipërinë prej nga ku është fluksi më i madh i kërkesave, kjo jo vetëm prej afërsisë mes dy vendeve, por edhe për faktin se shqiptarët konsiderohen si punonjës të specializuar në sektorin e bujqësisë.