Kandidatja për presidente nga Lëvizja Vetëvendosje, Vjosa Osmani, ka thënë se ajo nuk i prin listës së Vetëvendosjes dhe se numri 1 vazhdon të jetë Albin Kurti.
“Unë nuk jam bartëse e listës. Unë mbes numër 2 në listë. Asnjëherë nuk ka qenë kërkesë e imja që ta udhëheq këtë listë të përbashkët, përkundrazi. Kemi bërë dhe do të bëjmë bashkarisht të pamundurën që të respektohet vullneti qytetar sa i përket votës së Albin Kurtit që është numër 1 dhe bartës i kësaj liste, si dhe kandidat për kryeministër”.
Osmani, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se qytetarët mund ta votojnë Albin Kurtin dhe se ai fletëvotim nuk do të shpallet i pavlefshëm.
“Albin Kurti mund të votohet në fletëvotim. Nuk po flasim për broshura [ku emri i Albin Kurtit nuk figuron], sepse shumica dërmuese e qytetarëve nuk është se shkojnë dhe lexojnë broshura para se të votojnë. Të gjithë e dinë që vullnet i përbashkët dhe unanim i listës sonë ishte që Albin Kurti të kandidohej për kryeministër dhe të ishte bartës i listës”.
“Në anën e majtë të fletëvotimit do të jenë subjektet politike dhe kur votuesi e zgjedh numrin tonë mund ta votojë edhe numrin 1, 2, 3, 4, 5 dhe të gjithë me radhë deri në 110, por vetëm pesë kandidatë. Kishte pretendime se nëse votohet numri 1, kjo do ta shpallë fletëvotimin të pavlefshëm. Kjo nuk është e vërtetë”.
Osmani ka thënë se ani se KQZ-ja nuk do t’i numërojë votat që do të shkojnë për Albin Kurtin, komisionerët e Vetëvendosjes do ta kenë rezultatin dhe kjo, sipas saj, do ta tregojë legjitimitetin e tij.
Por, pse ajo dhe Lëvizja Vetëvendosja kanë nisur një fushatë ku bëjnë thirrje që të votohet Albin Kurti edhe pse ai përfundimisht, pas vendimit të Supremes, u la jashtë garës?
“Në fund KQZ-ja nuk e shpall rezultatin e votave të numrit 1 [Albin Kurti], por vetëm të kandidatëve të tjerë. Megjithatë, të gjithë komisionerët tanë do t’i kenë ato rezultate. Ne do ta dimë se cili është legjitimiteti qytetar. Numri 1 duhet të votohet, sepse vota për numrin 1 është rezistencë qytetare ndaj elementeve të shtetit të kapur”.
E pyetur nëse kjo nënkupton që Gjykata Kushtetuese është e kapur, Osmani ka thënë se krejt kjo çfarë ka ndodhur i ngjan me sistemet në Rusi dhe Bjellorusi.
“Jo vetëm Gjykata Kushtetuese, por mënyra se si ka ardhur deri te ky vendim dhe mënyra se si është keqpërdorur më ngjan shumë me sisteme në ish-BRSS. Ato që i shohim ne sot në Rusi dhe Bjellorusi ku kundërshtarëve politikë fillimisht iu ndalohet të kandidojnë vetëm nëpërmjet procedurave ose ligjeve duke u thirrur në atë se po i zbatojnë ligjet”.
Ajo ka thënë se fakti që Albin Kurti është lënë jashtë garës mund t’i sjellë më shumë vota dhe t’i japë mbështetje më të madhe, por ky, sipas saj, nuk është qëllimi.
“Nuk ka nevojë të viktimizohet, sepse i ka fituar zgjedhjet edhe herën e kaluar. Vetëm pse kjo do ta rriste mbështetjen nuk do të thotë që ne nuk duhet ta ngrisim zërin kur bëhet padrejtësi. Nuk ka fare të bëjë me demokraci kjo çfarë ka ndodhur deri tani. Është në kundërshtim me të gjitha standardet e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike të vendeve që i shohim si shembuj”.