Pacolli: Hëngrëm drekë bashkë, në mbrëmje e pashë që Agim Bahtiri doli nga AKR

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka treguar momentin kur Agim Bahtiri ka lënë partinë e tij, shkruan Gazeta Express.

Pacolli në emisionin “Pressing” në T7 thotë se asnjëherë nuk ka pasur përplasje me Agim Bahtirin. Ai madje thotë se gjatë ditës kishin ngrënë drekë së bashku dhe në mbrëmje kur ishin ndarë e kishte kuptuar se Bahtiri e ka lënë AKR-në.

“Nuk ka pasur përplasje. Asnjëherë s’kam pasur përplasje me Bahtirin. Unë e kam dëgjuar gjithmonë atë. Ne kemi bashkëudhtuar dhe nganjëherë nuk kam qenë dakord me deklaratat e tij. Unë kam qenë i sjellshëm me të.

Agim Bahtiri në momentin kur ka shkuar ai, ne kemi qenë në Vushtrri në një takim. Aty Agim Bahtiri merr fjalën e udhëheq atë takim dhe pastaj shkojmë tek ura e gurit, restaurant. Ne ndahemi ai për Mitrovicëm, unë për Prishtinë dhe në mbrëmje e shoh që Agim Bahtiri”, tha Pacolli.


“Jo nuk e kam thirrë në telefon. Për mua në momentin që thehet diçka, për mua është e kaluar”, shton Pacolli.