Ambasada Britanike reagon për tubimet elektorale të partive, kërkon të respektohen masat antikoronavirus

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka reaguar pasi partitë politike në Kosovë kanë filluar tubimet elektorale, përkundër rrezikut nga shpërndarja e virusit COVID-19.

Në një postim në faqen e tyre zyrtare në facebook, ka bashkëngjitur fotografi nga tubimi i sotëm i Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit në Kaçanik, nga një ndejë e përkrahësve të LDK-së, tubimet nëpër oda dhe një fotografi e Ramush Haradinajt në një hapësirë të mbyllur me përkrahësit e vet, përcjellë Klan Kosova.

Ambasada ka thënë se zgjedhjet janë të rëndësishme, por janë shqetësues turmat dhe tubimet.

”Me miqtë dhe familjarët tanë të izoluar në Mbretërinë e Bashkuar, ne e dimë të gjithë se kjo pandemi nuk ka përfunduar dhe nuk duam ta shohim të njëjtën gjendje sërish për miqtë tanë në Kosovë. Këto zgjedhje janë të rëndësishëm, por janë shqetësuese fotografitë që i kemi parë me turma dhe tubime, pa distancë sociale”, thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike.

Tutje Ambasada Britanike ka kërkuar nga të gjitha partitë politike dhe përkrahësve të tyre, t’u përmbahen masave antipandemi, tash që fushata zgjedhore është hapur zyrtarisht.