Kush është Lauren Sanchez, e dashura e njeriut më të pasur në botë

Lauren Wendy Sanchez është një spikere lajmesh amerikane, fituese e një çmimi Emmy në profesionin e saj dhe e dashura e një prej njerëzve më të pasur në botë, themeluesit të rrjetit Amazon, Jeff Bezos.

51-vjeçarja dhe Bezos raportohet se kanë kaluar dy vite të sikletshme para se të shpalleshin publikisht si çift.

Sanchez ka një prejardhje të thjeshtë dhe ka nisur karrierën si asistente në rrjetin lokal televiziv KCOP-TV në Los Angeles. Por ajo u ngrit shpejt në karrierë duke u bërë prezantuese dhe gazetare në rrjetet KTVK-TV dhe Extra.

Ajo ka punuar gjithashtu për Fox Sports, ku është nominuar disa herë për çmime e gazetarisë Emmy.

Shikuesit e Los Angeles e njohin Sanchez si prezantuese e programit ‘Good Day LA’ në rrjetin Fox, në vitet 2011 deri në 2017.

Sanchez është shfaqur gjithashtu në role të shkurtra aktrimi në filma të njohur si ‘The Dark Knight’, ‘Fight Club’ dhe ‘The Day After Tomorroë’. Sanchez është një pilote e kualifikuar helikopteri dhe është specializuar në filmimet nga ajri.

Lauren e Jeff Bezos besohet se janë lidhur që prej janarit 2018 kur në media doli një foto e tyre duke darkuar së bashku.

Por historia e tyre doli në dritë kur Bezos akuzoi të përditshmen “National Enquirer” se po i bënte shantazh për lidhjen e tij, në shkurt 2019.

Besohet gjithashtu se Bezos bëri kërkesën e divorcit të tij nga bashkëshortja MacKenzie pasi besonte se fotot e tij dhe Sanchez do të bëheshin së shpejti publike.

Në shkurt 2019, Bezos i publikoi vetë fotot në kundërpërgjigje të shantazhit nga rrjeti “National Enquirer”. Ndërsa pas finalizimit të divorcit në prill 2019 çifti shoqërohen publikisht.