Japin dorëheqje pesë anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), Herbert Amato, Jeffery Butel dhe Magdalena Ziolo, kanë dhënë dorëheqje.

Ata kanë refuzuar që të deklarojnë pasurinë në Agjencinë e Kosovës kundër Korrupsionit.

Siç mëson Telegrafi nga Këshillit shtetëror të cilësisë ndaj tyre është iniciuar procedim penal në Prokurori.

Pas dorëheqjes së tre anëtarëve kanë dhënë dorëheqje edhe kryetari i Bordit të KShC-së, Gazmend Luboteni dhe nënkryetarja Vjollca Krasniqi, të cilës edhe ashtu i skadonte mandati brenda një muaji.

Një letërkëmbim ndërmjet anëtarëve ndërkombëtarë të Bordit të KSHC-së dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilin e posedon Telegrafi, anëtarët ndërkombëtarë kanë dhënë arsyet e tyre pse nuk duhet të deklarojnë pasurinë e fituar në vendet e origjinës.

Në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit thuhet se të gjithë zyrtarët e lartë publik në Kosovë janë të obliguar që të deklarojnë pasurinë e tyre, madje në përgjigjen e AKK thuhet se lënda e tre anëtarëve ndërkombëtarë të KSHC-së është dërguar në Prokurorinë e Kosovës.

Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, mosdeklarimi i pasurisë është vepër penale.

Madje Agjencia Kundër Korrupsionit ka konfirmuar se sipas legjislacionit në fuqi, mosdeklraimi i pasurisë përbën vepër penale dhe për këtë arsye lënda e tre anëtarëve ndërkombëtarë të KShC-së, është dërguar në Prokurori për të proceduar më tutje.

Bordi i KShC-së përbëhet prej 9 anëtarëve, prej të cilëve tre anëtarëve janë ndërkombëtarë.