Nisma Socialdemokrate ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit. Në një tubim madhështor të Nismës Socialdemokrate, kryetari i Nismës Fatmir Limaj, ka thënë se sot më shumë se kurrë Kosovës i duhet zëri dhe fryma çlirimtare.
Lideri i Nismës ka thënë se zëri i atdheut na thërret përsëri të rreshtohemi rreth brigadës 121 dhe ne jemi të rreshtuar rreth interesit të atdheut.
Nga Avniu dëshmori më i ri i brigadës e deri të më i vjetri që kam vizituar dje, ne arritëm të dalim faqebardhë. Ne mbrojtëm kauzën e shenjtë të lirisë së Kosovës. Mbi 85 mijë njerëz e kishin vu fatin e tyre në dorë të djemve të UÇK-së. Ata na besuan krejt çka kishin duke qenë të bindur se nuk dezertojmë. Ne jemi simbol i mbrojtës i sakrificës dhe jemi simbol i lirisë dhe fitoreve, kjo është brigada 121”, ka thënë ndër të tjera Limaj në hapje të fushatës zyrtare.
Më tutje, ai ka ftuar bashkëluftëtarët e tij të rreshtohen së bashku drejt fitoreve të reja.
“Sot më shumë së kurrë Kosova ka nevojë për zërin çlirimtarë në Kuvendin e Kosovës. Ne asnjëherë deri më tani nuk kemi bërë kompromis me interesa të atdheut. Sot po iu drejtohem bashkëluftëtarëve të mi anekënd Kosovës më shumë se kurrë kemi nevojë të bashkohemi në këtë frymë çlirimtare, iu drejtohem familjeve patriotike që kanë dhënë gjithçka për të ardhur këtu rreshtohuni e bashkohuni më këtë frymë çlirimtare”, ka shtuar Limaj.
Ai ka ftuar që këto 10 ditë të fushatës të punojmë e të angazhohemi që në zgjedhjet e 14 shkurtit ta fuqizojnë këtë projekt.
“Nisma Socialdemokrate do të jetë befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve, do ta shihni më 14 shkurt, qindra mijëra qytetarë që nuk kanë qenë me Nismën po rreshtohen e bashkohen kësaj kauze dhe po e shohin këtë projekt si mbi partiak”, ka theksuar Limaj.
Sipas tij, janë dy kategori që nuk e duan zërin çlirimtarë në Kuvendin e Kosovës, Vuciqi dhe këlyshët e tij në Prishtinë, prandaj Limaj ka bërë thirrje për rreshtim në numrin 121.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Nismës Bilall Sherifi ka thënë se për Nismën, Kosova dhe qytetarët e saj vihen gjithmonë në rend të parë.
“Ne jemi ata që do të avancojmë çdo gjë që vihet në interesin e qytetarëve, ne do të bëjmë më të mirën për shëndetësinë, bujqësinë, ekonominë, arsimin, politikat sociale, etj. Ne do të bëjmë më të mirën për rininë dhe për punësimin e tyre. Ne jo vetëm që do të japin zë për veteranëve, por do ti mbështesim edhe në aspektin financiar, ne do t’i lejojmë me ligj që të gjithë veteranët që marrin mbështetje financiare, të kenë edhe drejt punë, qoftë në sektorin privat apo në administratë”, ka thënë ai.
Më tutje, Sherifi ka thënë se do ta mbrojmë dhe respektojmë sakrificën e tyre duke filluar një fushatë ndërkombëtare për njohjen e shtetësisë së Kosovës, dhe se do të angazhohemi përmes një fushate ndërkombëtare që ta njeh e gjithë bota se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.
Sherifi në fund ka ftuar të gjithë që të rrumbullakojnë numrin 121, Brigadën 121, Listën 121 të Çlirimtarëve, në mënyrë që pas 14 shkurtit zëri i Çlirimtarëve të jehojë fuqishëm në Parlament.