Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vazhdimin e masës së pezullimit të ligjit për paga edhe për 3 muaj ka shkaktuar pakënaqësi tek dy organizatat më të mëdha sindikale, asaj të arsimit dhe të shëndetësisë.
Drejtuesit e këtyre sindikatave, po e quajnë të padrejtë këtë vendim sipas të cilit, masa e pezullimit të ligjit për paga do të zgjatet deri me 30 qershor, raporton KOHA.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se me nxjerrjen e këtij vendimi, Kushtetuesja ua ka shtuar zhgënjimin dhe pakënaqësitë punëtorëve të arsimit, për shkak se kanë pritur që ligji të nisë së zbatuari këtë muaj.
Ndërkaq, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, vendimin e Kushtetueses e ka quajtur të turpshëm. Sipas tij, pas përfundimit të situatës me koronavirus do të ketë veprime të ashpra sindikale në shëndetësi.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e nxjerrë të martën ka theksuar se vazhdimin e masës së përkohshme e ka konsideruar të domosdoshëm për dy arsye.
E para, sepse për vendimin janë pranuar shumë dokumente, ankesa e komente shtesë dhe volumi jashtëzakonisht i madh i materialeve të pranuara nga Komisioni i Venecias dhe gjykatat kushtetuese/supreme pjesë përbërëse të Forumit të Komisionit të Venecias.
Sipas Kushtetueses, të gjitha këto materiale duhet të analizohen që Gjykata të mund t‘i aplikojë në rrethanat e rastit konkret, për aq sa do të jenë të aplikueshme.
Ligji për paga është miratuar në shkurt të vitit të kaluar, por Institucioni i Avokatit të Popullit kishte kërkuar nga Kushtetuesja interpretim për këtë ligj, për shkak se kishte pranuar 35 ankesa. Në muajin dhjetor kjo gjykatë e pezulloi zbatimin e ligjit deri më 30 mars.