Me kërkesë të Kosovës është shtyrë mbledhja me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që ishte paraparë për 25 janar, është shtyrë në afat të pacaktuar për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.
“Me kërkesë të Republikës së Kosovës, përkatësisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbajtja e seancës së përbashkët në mes dy vendeve është shtyrë. Arsyeja është gjendja politike në Republikën e Kosovës, atje janë shpallur zgjedhje të parakohshme me 14 shkurt, pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe themelimit të institucioneve atje, dy qeveritë do të caktojnë datën e mbajtjes së seancës së përbashkët”, tha mes tjerash Hoxha, raporton Alsat-M.