Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka konsideruar të paligjshme ankesën e VV-së rreth moscertifikimit të disa kandidatëve të tyre për deputet, përfshirë Albin Kurtin. Madje VV-ja nuk është lejuar as që t’i zëvendësojë kandidatët, për shkak se nuk i ka dërguar emrat në afatin e rregullt.
Organi që vepron në Kuadër të Komisionit Qendror Zgjedhor ka vlerësuar se KQZ-ja ka respektuar aktgjykimin e Kushtetueses dhe ligjet në fuqi, me lënien jashtë listës të Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Liburn Aliut, Bajram Mavriqit dhe Labinotë Demi-Murtezit.
Nga ky subjekt politik kanë bërë të ditur se nesër do t’i drejtohen Gjykatës Supreme për t’u ankuar.
“Unë nuk e kam parë ende vendimin në tërësi. Mirëpo gjithsesi ne nesër do t’i drejtohemi Gjykatës Supreme për të kundërshtuar vendimin e PZAP-së. Mbi bazën e asaj ankese presim që pretendimet tona të vërtetohen nga Gjykata Supreme për rrëzim të një veprimi të paligjshëm e antikushtetues që është marrë nga ana e PZAP-së”, ka thënë për Gazetën Sinjali përfaqësuesi ligjor i VV-së, Blerim Sallahu.
Tutje Sallahu ka deklaruar se pavarësisht vendimit të Supremes, VV-ja pritet të garojë në zgjedhje.
“Ju e dini që PZAP-ja e ka certifikuar pjesën tjetër të kandidatëve dhe për momentin ne do të vazhdojmë. Kjo është punë edhe e organeve të qendrës së VV-së mirëpo besoj që pa dyshim në zgjedhje do të marrim pjesë”, ka shtuar ai.
PZAP-ja gjatë ditës së sotme i ka refuzuar edhe ankesat e AAK-së, Nismës dhe të disa partive tjera nga komunitetet pakicë për moscertifikimin e kandidatëve të tyre kurse e ka shpallur të vlefshme atë të Nismës për moscertifikim të subjektit politik.